E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uldedaj: Njohim vetëm Konfindustrian me president Fratari

Konfederata e industrialistëve shqiptarë, ose siç njihet ndryshe Konfindustria, përfaqëson grupin më të madh industrialist në vend. Deklarata është dhënë nga vetë kreu i Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë, Gjok Uldedaj. 

"Ne njohim vetëm Konfindustrinë, president i së cilit është Hajredin Fratari", ka thënë ai. Konfindustria është krijuar më 11 nëntor të 2005-ës. Por që prej më shumë se një viti drejtuesit e kësaj shoqate enden dyerve të gjykatës pa mundur të marrin atë që u takon, të drejtën e emrit të shoqatës që ata krijuan. "Konfindustria është e vetmja shoqatë që përfaqëson industrialistët, shoqatat e tjera janë disa false të këqija, që nuk mund të quhen kurrsesi përfaqësues të interesave të biznesit", ka theksuar Uldedaj. Në fakt, odiseja për të drejtën e emrit të shoqatës ka nisur që në mars të vitit të kaluar. "Gjykata e rrethit Tiranë, në mënyrë të habitshme dhe në kundërshtim me ligjin, me vendimin nr. 1925 i datës 16 mars të 2007, regjistroi një shoqatë tjetër me të njëjtin emër si të shoqatës tonë", ka deklaruar pak ditë më parë për gazetën presidenti i kësaj shoqate, Hajredin Fratari. Në këtë mënyrë, gjykata ka lejuar regjistrimin e një tjetër shoqate me emrin e Konfindustrisë. Por ajo çka është edhe më e habitshme, është fakti se këtë shoqatë e ka krijuar ish-drejtori Gjergj Buxhuku. Ajo çka e bën edhe më të rëndë këtë, është fakti se Buxhuku është larguar nga Konfindustria në një mënyrë të pahijshme, pasi ai kishte kryer shkelje të rënda financiare, ose e thënë ndryshe, kishte marrë para nga arka e shoqatës, në një kohë kur nuk i takonte asgjë. Përballë një veprimi të tillë, drejtuesit e Konfindustrisë denoncuan në Prokurorinë e Tiranës ish-drejtorin Gjergj Buxhuku. Pasi Gjykata e Tiranës miratoi regjistrimin në mënyrë të padrejtë të kësaj shoqate, themeluesit e Konfindustrisë kundërshtuan këtë vendim të gjykatës, duke depozituar një kërkesë padi, e cila është dorëzuar që në maj të vitit të kaluar. "Por edhe pse ka kaluar kaq kohë që nga paraqitja e kërkesë-padisë, çështja jo vetëm që nuk është arritur të gjykohet, por janë ndërruar edhe tre gjyqtarë dhe në këtë moment ne jemi në seancë përgatitore", ka thënë Fratari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›