E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gjykata e Lartë e pavarur, jetike për integrimin në BE”

Një tjetër ambasador që flet qartë kundër rrëzimit të dekreteve të Presidentit për Gjykatën e Lartë nga Parlamenti. 

ROBERT RAKIPLLARI

Për Ian Cliff Obe, ambasador i Britanisë së Madhe në OSBE, "pavarësia e gjyqësorit është një test jetik për arritjen e standardeve evropiane". Diplomati britanik, një njohës mjaft i mirë i rajonit, (eksperienca e tij e fundit ka qenë ambasador në Bosnje) thotë se është absolutisht thelbësore që në një vend modern evropian të ketë ndarje të qartë të sistemit gjyqësor, ekzekutiv dhe legjislativ. Pasi ka udhëtuar me tren nga stacioni i Budullës në Fushë-Krujë për në Shkodër, ambasadori britanik pohon se Shqipëria i duket një vend normal, edhe pse me një monitorim të rreptë të misionit të OSBE në Tiranë dhe 4 zyra rajonale...
Z. Ambasador, a mund të na thoni cili është qëllimi i vizitës suaj në Shqipëri pikërisht në këtë moment?
Para së gjithash jam këtu që të mësoj më shumë për Shqipërinë, pasi më parë kam punuar shumë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por nuk kam qenë kurrë në Shqipëri. Së dyti, kam mendimin që zyra e OSBE-së në Shqipëri luan një rol të rëndësishëm në procesin e tranzicionit, por Ministria e Jashtme gjermane, e cila ka presidencën e radhës së OSBE-së, është duke kërkuar rinegocimin e mandatit aktual të OSBE-së, i cili daton 4 vjet më parë. Qeveria britanike është e mendimit se OSBE-ja është duke bërë një punë të vlefshme këtu dhe unë jam në bisedime lidhur me disa ide për programin aktual dhe për të ardhmen e misionit të OSBE-së në Shqipëri.
Megjithëse, komuniteti ndërkombëtar e konsideron Shqipërinë një vend normal, nga ana tjetër prezenca e OSBE-së në Shqipëri është relativisht e lartë. Është një zyrë qendrore në Tiranë dhe katër zyra rajonale në disa qytete të tjera. Cilat janë arsyet e këtij monitorimi kaq të rreptë?
Mendoj se ju keni të drejtë. Po ta krahasojmë situatën e tanishme me vitin 1997, tani gjejmë një ambient të qetë dhe miqësor në Shqipëri dhe ne jemi të impresionuar nga arritjet që ka bërë Shqipëria në këtë aspekt. Kam qenë në Shkodër e në Tiranë dhe mund ta dëshmoj këtë atmosferë dhe vërtet Shqipëria më duket një vend normal. Por mendoj se askush nuk duhet të ketë iluzione, pasi të hysh në Bashkimin Evropian është një çështje komplekse. Megjithëse Bashkimi Evropian ka fituar kompetenca në shumë fusha teknike dhe megjithëse procesi i zgjerimit është i hapur për vendet e Ballkanit Perëndimor, të hysh në BE është bërë një sfidë e vështirë. Për momentin kemi çështjen e veçantë të Traktatit të Lisbonës dhe referendumin në Irlandë, por edhe pa këto ka plot sfida në fusha, si rregulli i ligjit, lufta ndaj korrupsionit, kriminaliteti, zhvillimi i rregullt i zgjedhjeve dhe disa çështje ekonomike gjithashtu. Ka ende shumë detyra shtëpie për t'u përmbushur në Shqipëri, ashtu siç ka edhe këtu pranë kufirit në Mal të Zi dhe vende të tjera të rajonit. Ne në Britani mendojmë që OSBE-ja është një mekanizëm i vlefshëm, veçanërisht në lidhje me atë rrjet për të cilin folët ju. Nëse konsideron institucione të tjera, sidomos ato të lidhura me Bashkimin Evropian, ata nuk e kanë këtë rrjet lokal dhe shumë shpesh ndodh që, duke folur edhe nga eksperienca ime personale si ambasador në Bosnje, Bashkimi Evropian të përdorë atë rrjet lokal që siguron OSBE-ja. Është gjithashtu krejtësisht e vërtetë që burimet financiare të Bashkimit Evropian janë shumë më të mëdha sesa ato të OSBE-së, të cilat janë të limituara. OSBE-ja nuk është një institucion ndihme i llojit të Bankës Botërore. Nëse ju doni të përmirësoni rrjetin rrugor, infrastrukturën apo industrinë e naftës, ju nuk kërkoni asistencën e OSBE-së, por të Bankës Botërore. Por ky rrjet lokal që po flasim, nuk ekziston në institucione të tjera përveç OSBE-së. Ai shtrihet në shumë vende dhe Shqipëria nuk bën përjashtim. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të kesh ato lidhje lokale dhe të kesh atë besim lokal që OSBE-ja ka vendosur në qytete si Shkodra, Korça apo Gjirokastra. Pra mendoj që është shumë e rëndësishme që të ruhet ky rrjet lokal për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën drejt integrimit evropian.
Perceptimi i brendshëm në Shqipëri për këtë prezencë të fortë të OSBE-së me disa zyra dhe me nëpunës që paguhen me rroga të larta, vjen për shkak se komuniteti ndërkombëtar e konsideron Shqipërinë një vend me probleme? A duhet të mendojmë kështu?
Kjo është një pikëpamje, e cila më është bërë e ditur nga disa përfaqësues në Shqipëri, por në të njëjtën kohë ministri i Brendshëm apo ai i Jashtëm e shohin OSBE-në si mekanizëm të vlefshëm. Unë nuk mendoj se ju duhet të ndjeni se jeni vend jonormal për shkak të një prezence të misionit të OSBE-së në Shqipëri në këto përmasa. Mendoj se duhet ta shikoni OSBE-në si një rrjet të nevojshëm, me njerëz shumë të përkushtuar, të cilët e kuptojnë shumë mirë se si funksionojnë gjërat në Shqipëri, të cilët janë neutralë dhe jo të anshëm politikisht dhe të cilët ndihmojnë në arritjen e standardeve të kërkuara për integrimin në BE. Është gjithashtu e vërtetë se disa vende që kanë hyrë së fundi në BE nuk kanë një prezencë të OSBE-së, por unë mendoj se asistenca e OSBE-së do të rezultojë e vlefshme për Shqipërinë. Kështu ne mendojmë që disa vështirësi që janë shfaqur në vende të tjera nuk do të paraqiten në Shqipëri. Por, sinqerisht mendoj se të gjykosh prezencën e OSBE-së si tregues të një vendi jonormal është një gabim i madh. Po, është e vërtetë që prezenca e OSBE-së në Shqipëri u vendos në kushte specifike për vendin, por mendoj që banorët e zonave ku janë vendosur misionet tona e shohin OSBE-në si pjesë të komunitetit evropian që është e disponueshme dhe po përpiqet të ndihmojë Shqipërinë.
Megjithëse zgjedhjet në Shqipëri kanë pasur përmirësime, ende ka probleme për zhvillimet e zgjedhjeve të ndershme dhe të drejta. Kohët e fundit, Parlamenti shqiptar ka miratuar ndryshime në Kushtetutë, që transformojnë sistemin elektoral. Ndërsa kishim një sistem maxhoritar, me këto ndryshime kemi një sistem rajonal proporcional. Ka në të njëjtën kohë një debat të madh mes dy partive kryesore politike në vend si dhe partive të tjera në lidhje me këtë sistem të ri. Cili është opinioni juaj në lidhje me këtë?
Para së gjithash dua të them që nuk jam një ekspert i sistemit elektoral shqiptar. Nuk do të doja të përshkruaja sigurisht se cilin variant nga sistemet elektorale duhet të keni. Një nga gjërat e Bashkimit Evropian është se për momentin ne kemi 27 vende anëtare dhe përkatësisht 27 sisteme të ndryshme elektorale, ndërsa në një vend si ai nga unë vij kemi sisteme të ndryshme elektorale për nivele të ndryshme zgjedhjesh. Pra, kjo është një çështje mjaft komplekse. Ajo që unë mund të them është se çfarë mund të përmirësohet në lidhje me këtë çështje delikate, në mënyrë që të evitohet në këtë proces nxehtësia politike dhe mendoj se OSBE-ja e ka aftësinë që të punojë me partitë politike shqiptare, në mënyrë që të konceptojnë një sistem që është vërtet i lirë dhe i drejtë.
Ndërsa politika shqiptare ka kërkuar asistencë nga OSBE-ja për çdo lloj ligji, qoftë edhe i parëndësishëm, ne jemi dëshmitarë të faktit që para disa kohësh PD dhe PS me një marrëveshje të beftë miratuan ndryshime rrënjësore të Kushtetutës ekzistuese, pa kërkuar asistencën e OSBE-së. A keni një koment për këtë veprim?
Në thelb OSBE-ja është këtu për të ofruar ndihmë dhe këshillim, por jo për t'u imponuar pikëpamjet e veta partive politike…
Por ju mund të keni një gjykim tuajin në lidhje me këtë veprim…
Po, por unë si ambasador i Britanisë së Madhe pranë OSBE-së nuk mund të dal në gjykime të përcipta në lidhje me ndryshimet kushtetuese, por mendoj se është për të ardhur keq që ekspertiza e OSBE-së nuk është përdorur, ndërsa ka në të vërtetë diçka për të ofruar në këtë drejtim. Mendoj që prova jetike do të jetë nëse Kushtetuta do të funksionojë në mënyrë të atillë që Shqipëria, duke përdorur fjalët tuaja, të funksionojë si një shtet normal. Sigurisht ka pasur diskutime kohët e fundit që e vënë në pikëpyetje këtë. Kur nuk keni një Gjykatë të Lartë, si do të funksiononi si shtet normal? Nuk jam këtu për t'u futur në detaje specifike, aq më tepër që Shqipëria është një vend të cilin nuk e kam vizituar më përpara, por mesazhi im është që OSBE-ja të përdoret si një mekanizëm i kualifikuar e suportues dhe jo thjesht në aspektin e kriticizmit ndaj zhvillimeve të brendshme shqiptare.
Me gjithë përmirësimet në lidhje me anti-korrupsionin dhe krimin e organizuar, perceptimi i opinionit publik shqiptar për nivelin e korrupsionit dhe problemet e kriminalitetit është i lartë në vend. A mendoni se qeveria shqiptare po bën mjaftueshëm në këtë drejtim? Mendoj se kjo është një nga çështjet më të vështira dhe ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim. Shqetësues është përshkallëzimi i këtij problem këtu në Shqipëri, edhe pse ky nuk është një problem vetëm i Shqipërisë. Ka qenë një problem në Bosnje-Hercegovinë gjithashtu, është ende një problem në vende si Rumania dhe Bullgaria që i janë bashkuar Bashkimit Evropian, ndërsa korrupsioni nuk është tejkaluar si fenomen as në vendin tim. Në një vend të vogël si Shqipëria, niveli i lartë i këtyre problemeve është shqetësues dhe këto janë padyshim dy nga gjërat kryesore që duhet të tejkalohen në rrugëtimin drejt Evropës. Për më tepër, kjo është njëra nga fushat ku OSBE-ja me rrjetin e vet lokal mund të ndihmojë, ndërsa kontributi i institucionit të OSBE-së ka qenë i ndjeshëm për sa i përket, për shembull, reformave në Policinë e Shtetit. Korrupsioni është veçanërisht i vështirë për t'u luftuar kur është shtrirë në të gjitha shtresat e shoqërisë. Ajo që politikanët shqiptarë duhet të kuptojnë është që ky problem duhet të përballohet seriozisht dhe të dilet prej tij.
Cili është gjykimi juaj në lidhje me situatën më të fundit kur Gjykata e Lartë është bllokuar për shkak të refuzimit që i bëri Parlamenti shqiptar dekreteve të Presidentit Topi?
Ajo që mund të them është se pavarësia e gjyqësorit është një test jetik për arritjen e standardeve evropiane. Është absolutisht thelbësore që në një vend modern evropian të ketë ndarje të qartë të sistemit gjyqësor, ekzekutiv dhe legjislativ. Mendoj se në këtë rast është paksa e vështirë të besohet se të pestë kandidaturat e propozuara, mes të cilëve edhe njëri i vendosur në Strasburg, janë gjykuar jokompetente. Nuk do të doja të thosha më shumë se kaq, por mund të shtoj se është një çështje e cila duhet zgjidhur sa më shpejt. Nëse aspirata për anëtarësimin në BE është serioze, nuk mund të bëni pa një sistem funksional dhe të pavarur të Gjykatës së Lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›