Bien shkëmbinj prej malit,një fshat i tërë në rrezik
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Shkëputet masivi i shkëmbinjve në mal, rrezikohen 15 banesa në komunën e Vig Mnelës në Shkodër. Sipas banorëve, si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit, ka rrëshqitur një masiv prej 8 metër kubësh me shkëmbinj të mëdhenj. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës, duke terrorizuar banorët. Fatmirësisht nuk ka pasur probleme në njerëz, por pasojat mund të kishin qenë fatale, nëse masivi me gur do ta kishte pasur rrezen e veprimit vetëm pak metra më tej. Një ndër banesat më të rrezikuara ishte shtëpia e Preng Lleshit. Sipas tij, rrëshqitja e masivit ka ndodhur ndërsa familjarët ishin ende në gjumë. Tronditja që pësoi ndërtesa ka bërë që të gjithë të ngrihen të tmerruar nga gjumi dhe të dalin jashtë saj duke menduar për ndonjë tërmet. Alarmi i tyre është shtuar kur kanë parë masivin shkëmbor ngjitur me murin e shtëpisë. “Kemi parë tmerrin me sy. Ka qenë një situatë e frikshme. Na ka ruajtur zoti dhe kemi shpëtuar”, u shpreh Preng Lleshi. Sipas tij, kjo situatë është përsëritur vit pas viti, por pavarësisht se pjesëtarët e shtëpisë së rrezikuar kanë lajmëruar përfaqësuesit e pushtetit lokal, asnjë masë nuk është marrë. ”Kam lajmëruar kryetarin e komunës. Erdhi dhe pa situatën në vend dhe premtoi marrjen e masave. Shpresoj që këtë herë të veprohet pasi ne po rrezikojmë jetët e fëmijëve”, u shpreh Lleshi. Fshati Mali i Rrëzuar vazhdimisht përjeton situata të tilla. Banorët më të vjetër të zonës tregojnë se edhe emri i fshatit lidhet pikërisht me këtë shqetësim. “Fshati quhet ‘Mali i Rrëzuar’ pasi shpati i malit ku është ngritur ka pasur gjithnjë probleme të tilla”, u shpreh një nga banorët më të moshuar të këtij fshati. Përveç rrëshqitjeve të dheut akoma edhe sot, pas disa vitesh nga përmbytja e madhe e vitit 2003, rreth 15 familje të lagjes “Mali i Rrëzuar” të kësaj komune vazhdojnë të qëndrojnë në disa baraka tip rulote, të sjella nga ushtria në vitin 2003, pasi shtëpitë e tyre u shpallen të papërdorshme.