Shpërndahen me ankesa paratë për tërmetin
BULQIZE – Shpërndahen paratë për 1600 familjet e dëmtuara nga tërmeti i 6 shtatorit. Dy ditë më parë në Këshillin e Qarkut Dibër ka mbërritur lista e përfituesve nga fondet e qeverisë, ndërkohë banorët i janë drejtuar bankës për të tërhequr paratë për ndërtimin ose rehabilitimin e shtëpive të tyre. Një pjesë e banorëve kanë nxituar pranë Këshillit të Qarkut për të parë sasinë e parave që shteti u ka dhënë për dëmet e shkaktuara nga tërmeti. Disa, ata më të varfrit, kanë shkuar pranë bankës në fjalë dhe kanë tërhequr fondin e dhënë nga qeveria, ndërkohë të tjerë, të pakënaqur me sasinë e parave të dhëna, nuk kanë pranuar t’i tërheqin ato, duke u ankuar se me aq para se shteti jep për ta nuk mund të bëjnë asgjë. Sapo kanë mësuar se fondet nuk mjaftojnë për të rikthyer shtëpitë në gjendjen e mëparshme janë revoltuar dhe kanë kërkuar rivlerësim të dëmeve të shkaktuara. “Shtëpitë janë bërë pluhur nga tërmeti dhe shteti ka dhënë nga 300 mijë deri në 600 mijë lekë të vjetra për familje. Unë këto para do t’i përdor për të blerë bukë, ushqime e rroba për fëmijët e djalit. Me këto para ne nuk mund ta ringremë shtëpinë”, thotë e moshuara Tushe Miftari. Ashtu si ajo dhe shumë të tjerë ankohen se kanë marrë maksimumin 60 mijë lekë të reja. Pak javë më parë, qeveria akordoi 130 milionë lekë për banorët e zonave më të prekura nga tërmeti. Aktualisht, një pjesë e tyre ende jeton në çadra. h.p