E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bien temperaturat verilindja perfshihet nga rreshjet e debores

Rajoni i verilindjes është përfshirë nga temperatura të ulëta dhe reshje dëbore dhe shiu.  Kështu, gjatë orëve të natës në komunën e Shishtavecit që ndodhet 1000 metër mbi nivelin e detit dhe në zonat e tjera të kësaj lartësie ka rënë 10 cm dëborë, ndërsa reshje sporadike kanë vazhduar edhe në orët e ditës. 

Për banorët e këtyre fshatrave, dëbora e sivjetme konsiderohet e parakohshme dhe në tërësi ka krijuar probleme me prodhimet bujqësore kryesisht me patatet si dhe me pemët frutore tipike për këto zona.  Burime të komunës tregojnë se një numër fermerësh dëbora e sotme i ka dëmtuar pasi kanë qenë në procesin e shkuljes dhe shtratifikimit të patateve.  Por nga ana e tjetër mësohet se rruga nacionale Kukës-Shishtavec është e qarkullueshme dhe po ashtu edhe rrugët që lidhin pikat e kalimit të kufirit me Kosovën vazhdojnë të jenë funksionale.

Në këto zona pavarësisht vështirësive të motit, furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm ka qenë i rregullt, duke përjashtuar komunat e zonës së Bushtricës me Grykën e Çajës dhe Kalisin ku njoftohet se ka ndërprerje të furnizimit me rrymë elektrike në orët e para të mëngjesit të sotëm per shkak te avarive ne rrjetin qe vjen nga Peshkopia.  Reshjet e dëborës dhe të shiut kanë patur një ndikim pozitiv në shtimin e burimit të ujit të pijshëm për të cilin qyteti i Kukësit dhe një numër fshatrash ka vuajtur prej disa muajsh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›