E Diel, 1 Nëntor 2026

Historia te ndryshoje Fischer Lustracioni nuk jeni gati

Historiani Bernd Fischer, njëkohësisht shef i Departamentit të Historisë në Universitetin e Indianës në SHBA, në një intervistë për “AS” thotë se në 20 vite pluralizëm Shqipëria ka bërë një progres të madh. Në intervistën e tij, Fischer tregon çfarë ka ndryshuar në 20 vitet e fundit në Shqipëri dhe gjithashtu hedh nota kritike për modelin që ndjek politika shqiptare.

Bernd Fischer: “Mendoj se ka një ndryshim shumë të madh në shumë nivele. Për herë të parë kam ardhur këtu në vitin 1988 përpara ndryshimit të rregjimit. Vendi ka ndryshuar shumë nga hera e fundit. Përsa i përket politikës, nuk ka pasur shumë evoluim. Dhe ka ende shumë hapa për t`u ndërmarrë përsa i përket demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Për fat të keq unë duhet të them se nuk ka pasur shumë ndryshime në politikë. Shohim ende mënyra të vjetra të të sjellurit të partive politike. Mënyra sesi liderët e partive politike sillen me elektoratin e tyre, Shqipëria ka ende rrugë për të bërë për instalimin e demokracisë”.

Erjon Ajazi: “Në Shqipëri është debatuar shpesh për ndryshimin e historisë, referuar periudhës së komunizmit dhe mbretit Zog. A duhet të ndryshojë historia e një vendi dhe nëse po mbi cilat baza duhet ndryshuar?”

Bernd Fischer: “Kam debatuar gjithmonë për këtë çështje. Historia është një disiplinë që ndryshon. Vlerësimi i fakteve është gjithmonë i rëndësishëm. Me mbërritjen e dokumentave të reja, por edhe të interpretimeve të reja. Ka gjithmonë vend për ndryshime në histori. Prandaj, unë e mirëpres procesin”.

Historiani Fischer referuar krimeve të komunizmit dhe nevojës për ligjin e lustracionit thekson se duhet të bëhet një rivlerësim për periudhën e komunizmit dhe sipas tij, persona të caktuar duhet të shpallen përgjegjës.

Bernd Fischer: “Disa nga ligjet e lustracionit të vërejtura në disa nga vendet e Europës Lindore , ndoshta nuk janë aq të përdorshme sa duhet të ishin. Ky është një proces që në një pikë të caktuar duhet të shkojë përpara. Shqipëria nuk është ende në pozitat për të ndërmarrë këtë çështje. Mendoj se prioritet i saj në këtë pikë është marrja e masave për funksionimin e demorkacisë dhe shtetit të së drejtës. kur këto të jenë arritur, atëherë mund të merreni me çështje të tjera. Ligji i lustracionit pa një shtet të mirëfilltë të së drejtës ka potencialin për të pasur keqpërdorime serioze. Mendoj se është e nevojshme të bëhet një rivlerësim i asaj periudhe të veçantë dhe persona të caktuar duhet të shpallen përgjegjës, por mendoj se nuk ka ardhur ende koha për këtë gjë. Por kjo të bëhet në të ardhmen”.

Fischer erdhi në Shqipëri për herë të parë në vitin 1988 dhe është autor i pesë librave historikë për vendin tonë, një prej të cilave flet për biografinë politike të mbretit Zog. Aktualisht, ai është duke shkruar një libër të ri, i cili do të flas për diktatorin Enver Hoxha.  

Erjon Ajazi

Azhornuar së fundi ( e diel , 09 tetor 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›