“Big Brother” në Kombëtaren angleze
Trajneri i Kombëtares angleze, Fabio Kapelo, ka vendosur të spiunojë lojtarët e tij në dhomat e hotelit, nëpërmjet televizorëve të teknologjisë së lartë. Italiani e ka theksuar edhe më parë se sa i vendosur është që të mos lejojë asnjë dëfrim apo zbavitje intime për futbollistët gjatë Botërorit dhe kjo është edhe arsyeja pse nuk ka lejuar ardhjen e “ëAGS”-ave në Afrikën e Jugut. Por kjo gjë nuk vlen për familjen e vet, duke qenë se bashkëshortja e tij, Laura dhe djali, Pierfilipo, do të jenë prezentë. Tashmë, vetë trajneri ka bërë të ditur se do t’i përgjojë “luanët” 24 orë në 24 nëpërmjet televizorëve që gjenden në dhomat e tyre të hotelit. Kjo do të thotë që futbollistët anglezë nuk do të kenë asnjë vend ku të fshihen. “Spiunët” janë instaluar nëpër dhoma e hotelit “Rsutenberg”, që ka kushtuar jo pak, por 327 milionë paund, në të cilin do të qëndrojë Kombëtarja angleze. Por ky lajm nuk është pëlqyer aspak nga yjet e skuadrës. Një burim shumë i afërt me ta rrëfen: “Do të jetë pak a shumë si ‘Big Brother’. Zakonisht dhomat e hotelit shërbejnë si vendet ku të gjithë mund të kenë pak intimitet dhe mund të qëndrojnë larg nga pjesa tjetër e botës, por tani as ato nuk do jenë të sigurta”. Ky lajm është bërë i ditur, pasi Kapelo ka vendosur të përzërë të gjitha të fejuarat, të dashurat ose bashkëshortet e lojtarëve, duke mos i lejuar që të jenë prezente në Afrikën e Jugut. Por ndërkaq këto të fundit kanë akuzuar Federatën Angleze të Futbollit se e ka bërë me qëllim këtë gjë. Ndërsa federata është shprehur se nuk do t’i ndihmojnë bashkëshortet e futbollistëve që të gjejnë një vend për të qëndruar gjatë muajit që luhet Botërori.