E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombëtarja abonohet me fitoret, sërish 1-0



Leonard Karaj

Shqipëria ka fituar 1-0 ndaj modestëve të Andorrës, në testin e tretë miqësore për këtë vit. Goli i vetëm u shënua në fundin e pjesës së parë nga Hamdi Salihi. Duket sikur trajneri Kuzhe është abonuar me 1-0, kjo pasi në tri ndeshjet e fundit ka fituar me këtë rezultat (Iranda e Veriut, Mal i Zi dhe Andorra). Ky mund të konsiderohet dhe si një rekord i vogël për kroatin, i cili rezulton të jetë trajneri i vetëm në krye të Kombëtares sonë, që ka sigluar tri fitore radhazi edhe pse këto kanë qenë që të tria ndeshje miqësore. Takimi i mbrëmjes së djeshme, në fakt ishte si një test për lojtarët e rinj që për hir të së vërtetës nuk patën rast të luanin po aq sa pritej. Kuzhe, ndoshta edhe nga dëshira e madhe për të marrë rezultat, edhe pse luante ndaj një skuadre, pak të thuash se modeste. Hodhi në fushë një skuadër me përqindje të madhe titullarësh. Vetëm Vrapi dhe Lila ishin të rinjtë, që u provuan nga minuta e parë. Ndërsa pjesa tjetër, ata që realisht duhet të tregonin nëse vlenin ose jo për të ardhmen e Kombëtares, patën shumë pak minuta në dispozicion. Mjaft të përmendësh që lojtarë si Skela, Duro dhe Salihi luajtën për 90 minuta, çka ndoshta vetëm Kuzhesë mund t’i ketë interesuar përderisa gjithkush i njeh vlerat e këtyre lojtarëve. Ndërkohë që nuk u aktivizuan të paktën për një pjesë të mirë loje, Bakaj, Veliaj, Vila, e Bicaj, futbollistë këta që vetëm ndaj një skuadre si Andorra mund të tregonin cilësitë e tyre. Sa për kronikë, kundërshtarët e Shqipërisë në ndeshjen e mbrëmshme arritën të gjuanin gjuajtjen e parë në portën e mbrojtur nga Isli Hidi në minutën e 62-të të pjesës së dytë. Kaq mjafton për të treguar sesa i dobët ishte skuadra që kishin kuqezinjtë përballë.

Shqipëri-Andorrë 1-0

Shënues: Salihi 44’
Karton i verdhë: Vangjeli 5’/ Rubio 50’
Gjyqtar: V.Maskarovski (Maqedoni)
Shqipëria: Hidi (Llani 90’), Vangjeli (Muzaka 79’), Lila, Vrapi (Bicaj 88’), Agolli, Duro (Veliaj 88’), Hyka (Bakaj 57’), Bulku (G.Lika 57’), Skela, Salihi, Kapllani (Xhihani 57’)
Trajner: Josip Kuzhe
Andorra: Gomes (Perianes 87’), J.Escura, Ayala, Jimenez (Garcia 72’), Moreno, J.Rubio (Gil 58’), Pujol (Andorra 80’), M.Gera, Vieira, S.Gomez, Silva (Sonejee 70’)
Trajner: Koldo Alvarez de Eulate

Kuzhe: I kënaqur me fitoren, jo me lojën

Trajneri i Kombëtares Josip Kuzhe gjithsesi ka qenë kritik me lojën në përgjithësi të skuadrës së tij. “Në fakt nëse do të kualifikoheshim në finalet e EURO 2012, duke fituar të gjitha takimet me këtë rezultat unë do të isha mjaft i gëzuar. Ndaj nga njëra anë nuk e konsideroj një fitore të lehtë këtë të fundit. Me skuadra si Andorra është e vështirë të luash futboll, pasi mbrohen me shumë lojtarë dhe nuk të lënë shumë hapësira për të goditur në portë. Gjithsesi jam i kënaqur me rezultatin, por jo me lojën e skuadrës sime, pasi pashë që shumë lojtarë ende nuk kanë aq shumë besim në vetvete. Ka disa gjëra që duhen rregulluar ende dhe unë jam duke punuar për ta perfeksionuar këtë skuadër. Natyrisht, sot provova disa lojtarë të rinj por unë në mendjen time tashmë e kam një 11-she të qartë në kokë, me të cilën do të luaj edhe në ndeshjet zyrtare”, pohoi trajneri kuqezi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›