Shpërthimet në Gërdec, evakuohen banorët e reality show-ut të famshëm
Incidenti i rëndë i ndodhur në fshatin Gërdec të Vorës ka bërë që të ndërpritet loja në shtëpinë e "Big Brodher". Por, siç e do rregulli, banorët nuk dinë asgjë se ç‘ka ndodhur. Madje, ata mund të jenë të vetmit shtetas shqiptarë që nuk dinë se çka ngjarë. Ata janë mbajtur tërësisht të izoluar dhe të painformuar dhe janë transferuar diku në një hotel në katin e dytë për ta vijuar lojën aty. Stafi i "Big Brother" ka bërë të mundur montimin e menjëhershëm të disa kamerave në ambientin e ri, me qëllim që loja të vazhdojë në ato kushte.
Shpërthimet që ndodhën në harkun kohor të orës 12:00 e 12:30 minuta, kanë shkaktuar dëme dhe në shtëpinë e "Big Brother"-it, e cila ndodhet në zonën ku ka ndodhur tragjedia. Sipas pjesëtarëve të stafit, paniku përfshiu si ata, edhe banorët në momentet e shpërthimeve të fuqishme, dhe sipas njërit prej tyre, ka qenë pozicioni pas kompleksit "Deka", që ka bërë të mundur shmangien e shkatërrimin e plotë të shtëpisë. Menjëherë, pas panikut dhe pasi është bërë e mundur të mësohej se ç‘ka ndodhur vërtet, ka nisur evakuimi i banorëve, duke pasur kujdes që ata të mos mësonin se ç‘kishte ndodhur. Me katër makina, ata janë transportuar drejt një hoteli dhe janë akomoduar aty në katin e dytë, duke vijuar lojën në kushte të reja, të survejuar nga disa kamera që janë montuar aty për aty. Sipas drejtuesve të programit, banorët do të kthehen në shtëpi pas normalizimit të gjendjes.
Dëmtimet më të mëdha janë në çatinë e shtëpisë, e cila ka rënë pas shpërthimeve tronditëse. Pas boshatisjes nga ana e banorëve, kanë nisur meremetimet e saj, por fakti që qarkullimi në autostradën Tiranë-Durrës është bllokuar, e ka bërë të vështirë rikthimin e shpejtë të normalitetit. Nga stafi njoftohet se asnjë prej banorëve nuk ka pësuar dëmtime fizike. Po ashtu, njoftohet se punimet për riparimet e dëmeve të shkaktuara kanë nisur, dhe programi do të rifillojë sa më shpejt që të jetë e mundur.
Edhe spektakli i mbrëmshëm në "Top Channel" u anulua. Në pjesën e tretë ishte planifikuar dalja e banorit të dytë, nga tre të nominuarit e javës. Deri në orët e mbrëmjes, banorët nuk e kanë ditur që spektakli që drejtohet nga Arbana Osmani është anuluar. Më vonë, ata janë njoftuar për këtë anulim, që e prish disi rendin e lojës. Por nuk bëhet fjalë që t‘u thuhet e vërteta për atë që ka ndodhur, të cilën do ta mësojnë vetëm kur të dalin nga shtëpia. Siç dihet, një nga rregullat e lojës është që banorët janë tërësisht të izoluar nga bota jashtë. Për ta ndoshta mund të ketë rënë një tërmet. Si të gjithë, edhe ata, janë frikësuar e tronditur në momentet e shpërthimeve. Në ato çaste, nga stafi u është bërë thirrje që të dalin menjëherë në oborr dhe u është thënë që të qetësohen. Më pas, janë transferuar për në hotel.
Kjo ndodhi e pazakontë pritet të jetë një nga temat e debateve mes tyre ditët në vijim. Për momentin, nuk është e mundur që ata të shihen dhe të ndiqen nga publiku, siç është njoftuar, për një ndërprerje të përkohshme të transmetimit drejtpërdrejtë në televizion. Por kur të kthehen në shtëpi, mendohet se do kërkojnë të dinë të vërtetën e asaj që ka ndodhur jashtë tyre, që detyroi stafin t‘i evakuojë në një hotel. Pritet që nga sjellja e tyre karshi këtij zhvillimi të pazakontë, të vërehet dhe ankthi i tyre nga mosinformimi.