E Diel, 1 Nëntor 2026

Bija nuk arrin të takoj dot nënën, kapet në kufi nga policia greke

29/07/2011  Malli për nënën nxit 13-vjeçaren të kalojë kufirin nga mali

KORÇE- Malli për nënën, sepse kishte kohë pa e parë, ka ndezur fantazinë e një 13-vjeçareje, e cila në mungesë të një pasaporte biometrike, imagjinonte dhe përpiqej të gjente mënyrën se si mund të shkonte te nëna e saj në Greqi, t’i trokiste te porta dhe kur dera të hapej, ashtu si nëpër përralla, nënë e bijë të mbeteshin të shtangura, njëra në një anë të pragut dhe tjetra në anën tjetër.

Vajza 13- vjeçare me inicialet L.P nga fshati Marjan i rrethit Korçë, kishte kohë që kishte shfaqur dëshirën e saj për të takuar nënën e vet, por mungesa e një pasaporte biometrike nuk ja mundësonte realizimin e ëndrrës. Megjithatë, ndërsa ditët kalonin, 13- vjeçarja jetonte çdo çast me ankthin e takimit. Së fundi, kishte kërkuar ndihmën e një të afërmi të saj, D. M., 26 vjeç nga fshati Trebinjë i Pogradecit, që ta merrte me vete, të kalonin kufirin shqiptaro-grek, të ecnin natë e ditë më këmbë nëse ishte e nevojshme, por vetëm të mbërrinin në qytetin e Kozanit, aty ku jetonte nëna e saj. Kështu do të niste aventura e një vajze të vogël, e nxitur nga malli për të dëgjuar zërin e së ëmës. Ata kishin mundur të kalonin kufirin e gjelbër në dt 25.07.2011, dhe njëkohësisht kishin mundur të preknin tokën greke, atë vend ku jetonte një nënë që kishte një kohë të gjatë që nuk kishte parë bijën e saj. Arsyet e këtij mostakimi kaq të gjatë nuk dihen, por tashmë iniciativën e kishte marrë kjo vajzë e vogël. Vajza e vogël nuk kishte mundur t’i shkonte ëndrrës së saj deri në fund. Me të hyrë në tokën greke ajo ishte kapur nga policia e këtij shteti.

V. Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›