E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet emigranti i sapokthyer në derën e shtëpisë

29/07/2011  Po bisedonte me 2 shokë të tij, atentat nga 2 persona. Policia ende asnjë pistë për vrasjen

VLORE- Një vrasje ka ndodhur në orët e vona të natës në lagjen “1 Maj”, ne qytetin e Vlorës. Viktima është Klaudon Leka 30 vjeç, emigrant i sapombërritur në vendlindje. Sipas burimeve policore, ai kishte vite që jetonte në Itali me familjen e tij dhe se kishte pak ditë që kishte mbërritur në qytetin e Vlorës. Leka është qëlluar me armë pranë shtëpisë së gjyshes ku dhe rrinte nga 2 persona me motoçikletë duke gjetur vdekjen. Policia e Vlorës pas hetimeve ende nuk ka një motiv për këtë ngjarje, ndërsa autorët ende janë të paidentifikuar.

Vrasja

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23 ku është goditur me armë Klaudon Leka, 30 vjeç ,banues në lagjen “24 Maji”. Viktima në momentin e ngjarjes, ka qenë në shoqërinë e dy personave duke biseduar, të cilët sapo i kishte takuar në trotuarin e rrugës në lagjen “1 Maji” ose siç njihet ndryshe “Kume”. Në këtë moment janë afruar dy persona me motoçikletë me skafandë të vendosura në kokë. Një prej tyre ka zbritur nga motori dhe pa thënë asnjë fjalë ka nxjerrë një pistoletë dhe e ka drejtuar në drejtim në drejtim të viktimës duke goditur 6 plumb pistolete dhe duke e plagosur rëndë. Më pas janë larguar me shpejtësi për në brendësi të lagjes “1 Maj” së bashku me motoçikletën ku sipas dëshmive ishte një skuter. Kanë qenë dy personat që gjendeshin me të në kohën e atentatit, të cilët e kanë nisur në drejtim të spitalit, por si rezultat i plagëve të marra, viktima ka gjetur vdekjen gjysmë ore më vonë në spitalin e Vlorës.

Hetimet

Më shumë se 20 persona janë shoqëruar gjatë natës midis tyre dhe të afërm të tij, të cilët janë pyetur mbi konflikte të mundshme që mund të ketë pasur 30-vjeçari. Sipas bluve, po shikohen kryesisht konflikte që ai mund të ketë në shtetin italian ku dhe jetonte së bashku me familjen e tij që prej vitit 1994 dhe kishte disa ditë që ishte kthyer nga Italia dhe rrinte tek gjyshja e tij në lagjen “1 Maj” në qytetin e Vlorës. Edhe gjatë kohës që ndodhi vrasja, ai gjendej vetëm pak metra larg shtëpisë së gjyshes së tij. Të pyetur nga policia, të afërmit kanë deklaruar se nuk kanë pasur asnjë dijeni për konflikte apo kërcënime të mundshme. Madje të afërmit shprehen se mund të ketë qenë dhe ngatërrim objektivi, pasi nëse do të kishte pasur ndonjë konflikt nuk do të qëndronte jashtë deri në atë kur ndodhi ngjarja. Të pyetur nga policia dy personat që ishin me të janë shprehur se viktima nuk dukej i shqetësuar dhe kryesisht kanë folur mbi kujtime të fëmijërisë. Nga ana e policisë, vrasja është klasifikuar si atentat i mirëfilltë dhe i organizuar, por nuk është gjendur ende shkaku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›