E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sytë te Ndre Mjeda

29/07/2011  Figura e tij e vlerësuar në vite dukej se ishte lënë paksa në hije vitet e fundit. Për drejtorin e Qendrës së Studimeve Albanologjike, Ndre Mjeda, ka përjetuar një periudhë “hedhjeje poshtë”, ndërkohë që sytë ishin drejtuar nga figura të tilla si Gjergj Fishta, Padër Anton Harapi, Arshi Pipa apo Martin Camaj- që duheshin zbuluar, ndërkohë që mendonin se Mjeda ishte i zbuluar.

Ky rikthim me sytë tek “majat”, për më tepër në një përvjetor ka shtyrë Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe Fondacionin “Ndre Mjeda” të organizojnë më 1 gusht një veprimtari në përkujtim të Ndre Mjedës, në fshatin Kukel (Bushat / Shkodër).

Programi parashikon recitime të lira nga krijimtaria e Mjedës, vizitë në ambientet ku jetoi e shërbeu Dom Ndre Mjeda, ekspozitë me fotografi dhe vepra të Mjedës, program nga shoqëria muzikore “Prenk Jakova”, panair me karakteristika të zonës, si dhe dhënien e çmimit Ndre Mjeda për kontribut në studimet mbi Mjedën dhe të një Diplome Nderi për interpretimin më të mirë të një teksti nga Mjeda. Sipas Marashit, përkujtimi i Mjedës është një veprimtari, e cila synon të bëhet e përvitshme e të shndërrohet në traditë, për të gjallëruar jetën komunitare e letrare të zonës. Veprimtaria synon të kthejë në identitet edhe kompleksin “Ndre Mjeda”, me Kishën dhe me Muzeun, me synimin për ta klasifikuar këtë kompleks si Monument Kombëtar, i cili të plotësojë hartën e turizmit kulturor për zonën mes Zadrimës e Bushatit.

Vetëm pak ditë më parë në Shkodër nisi edhe restaurimi i kishës së Ndre Mjedës. E ndërtuar në vitin 1913 nga Ndre Mjeda që ka qenë edhe projektuesi i saj, iniciativa për restaurimin u mor nga famullitari i zonës së Shkodrës, Dom Nikë Ukgjini, i mbështetur nga disa biznesmenë të qytetit. Në kishën e moçme që gjendet në fshatin Kukel, në komunën Bushat, për rreth tridhjetë vjet shërbeu si prift poeti i njohur shqiptar Ndre Mjeda. Menjëherë pas restaurimit të kishës projekti do të vijojë me rikonstruksionin e shtëpisë ku jetoi Ndre Mjeda, në të cilën janë shkruar edhe shumë nga veprat e poetit të njohur.

Veprimtaria përkujtimore për Mjedën do të pasohet më pas edhe me një tjetër të këtij lloji për Migjenin. Sipas drejtorit të QSA-së, Ardian Marashi, këto nisma synojnë tu japin këtyre figurave vendin që meritojnë. “Ka vlerësim të hierarkisë patjetër, por aty ku janë majat mbeten”, vlerëson Marashi.

Mjeda, si njihet

Janë dy studiuesit që konkurrojnë me veprën e tyre për çmimin “Ndre Mjeda” për kontributin që kanë dhënë me veprën e tyre për ndriçimin e kësaj figure: Mentor Quku me veprën e tij prej tetë vëllimesh, një kolanë e tërë që përfshin mbi 40 vite punë për Mjedën dhe studiuesi nga Kosova, Milazim Krasniqi me një monografi për Mjedën.

Komisioni që vlerëson studimet përbëhet nga tre vetë: Ardian Marashi, studiues dhe drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike; Drejtori i fondacionit “Ndre Mjeda”, kleriku, Dr. Dom Nikë Ukgjini dhe Stefan Çapaliku, në cilësinë e studiuesit në QSA.

Jeta dhe vepra e Ndre Mjedës ka qenë objekt trajtimi i mjaftë studiuesve, si: Gaetano Petrotta, Filip Fishta, Eqrem Çabej, Injac Zamputi, Henrik Lacaj, Kolë Ashta, Pashko Gjeçi, Mark Gurakuqi, Jup Kastrati, Lazër Siliqi, Andreja Varfi, Dhimitër S. Shuteriqi, Rinush Idrizi, Rexhep Qosja, Petro Janura, Mahir Domi, Klara Kodra, Razi Brahimi, Jorgo Bulo, Sabri Hamiti, Isak Ahmeti, Mensur Raifi etj. Jeta dhe vepra letrare e gjuhësore është provuar të botohet sa më e plotë, por asnjëri prej studiuesve nuk e ka projektuar ashtu në përmasën e një botimi historik, filologjik dhe kritik veprën e Ndre Mjedës dhe studimet për të, në atë përmasë që ka filluar ta bëjë studiuesi Mentor Quku, që për këtë arsye njihet edhe si mjedolog.

Poezia e Mjedës shënoi kalimin nga letërsia e Rilindjes romantike, me problematikë kryesisht atdhetare, te letërsia e Pavarësisë, ku mbizotëroi problematika shoqërore dhe realizmi. Ndre Mjeda lindi më 20 nëntor 1866 në Shkodër në një familje të varfër. I ati ishte një bari, i zbritur nga fshati. Ai vdiq herët dhe e la Mjedën të vogël. E ëma mbeti e vè, për të mbajtur dy fëmijët u detyrua të lante rroba te familjet e pasura të qytetit. Aftësitë e rralla që shquanin Mjedën që në fëmijëri, tërhoqën vëmendjen e jezuitëve, të cilët jo rrallë zgjidhnin kuadro nga shtresat e varfra dhe i futnin në seminare. Ata e futën në seminarin e tyre italian të Shkodrës. Meqenëse edhe këtu Mjeda i ri u shqua për zotësi, e dërguan të ndiqte studimet e larta në Spanjë, Poloni, Kroaci dhe Itali. Kësaj rrethane poeti i detyron njohjen e gjuhëve të ndryshme të huaja dhe kulturën e gjerë klasike, që do ti vlejë shumë gjatë veprimtarisë së tij të mëvonshme letrare. Në formimin e personalitetit të Mjedës ndikuan dy faktorë: nga njëra anë shkolla fetare, që përcaktoi deri diku botëkuptimin e tij, nga ana tjetër idealet kombëtare me të cilat ra në kontakt herët e që, si bir i popullit të thjeshtë i ndiente thellë. Këto ideale qenë për të riun flaka që e ushqeu talentin e tij poetik. Më 1887 Mjeda 21-vjeçar botoi “Vaji i bylbylit”, një elegji që është njëkohësisht edhe një këngë shprese. Në këtë poemth rinor, plot fluturime romantike, jepet dhembja për fatin e kombit të robëruar dhe optimizmi për të ardhmen e tij. Ndërkaq Mjeda e ndiente veten të ndrydhur nga rregullat e shoqërisë jezuite.

Konflikti ndërmjet tij dhe urdhrit ku bënte pjesë, arriti në pikën më të lartë, pas dy vjetësh, kur poeti i ri, që kishte mbaruar studimet dhe ishte dërguar të jepte mësim në një shkollë të lartë fetare në Itali, detyrohet të largohet. Duke e ndier veten tashmë më të lirë, ai iu kushtua me një zjarr të dyfishuar çështjes kombëtare dhe zhvilloi një veprimtari të gjerë atdhetare e kulturore. Themeloi shoqërinë kulturore “Agimi”. Mori pjesë në një kongres gjuhësor lidhur me çështje të shqipes në Hamburg. Ai shkroi për mirditorët një memorandum, drejtuar përfaqësuesve të fuqive të mëdha në Shkodër, ku ankoheshin kundër qeverisë osmane. Poeti ngriti zërin me rastin e mbylljes së shkollës së mesme shqipe në Korçë nëpërmjet një vjershe që është një kushtrim i hapur etj. Kjo veprimtari nuk mund të mos i binte në sy qeverisë osmane, e cila më 1902 e arrestoi poetin dhe gati sa nuk e internoi në Anadoll (ky rast i dhimbshëm i jetës së Mjedës gjeti pasqyrimin poetik në poemthin “I tretuni”).

Si shumë rilindës të tjerë, Mjeda shpresonte se çlirimi kombëtar do të sillte përmirësimin e gjendjes së masave. Një mendim i tillë përshkon poemën e fuqishme "Liria" e shkruar në vitet 1910-1911, pra në prag të shpalljes së pavarësisë. Ngjarjet pas 1912-ës për Mjedën qenë një zhgënjim i hidhur.

Në të vërtetë, që këtej e tutje, ai do ti kushtohet kryesisht veprimtarisë gjuhësore. Më 1917 Mjeda mblodhi dhe botoi në vëllimin “Juvenilja” krijimet poetike, të shkruara gjatë Rilindjes që për shumë shkaqe skishin mundur të shihnin dritë më parë. Ai hyri kështu në letërsinë tonë si poet i shquar. Në vitet 1920-1924 Mjeda u zgjodh deputet i opozitës, i krahut demokratik. Pas ardhjes së Zogut në fuqi, Mjeda u largua nga jeta politike. Ai vazhdoi të ishte famulltar i thjeshtë në fshatin e vogël Kukël, gjersa në vitet e fundit të jetës së tij kleri e mori si mësues të shqipes në gjimnazin e vet të Shkodrës. Mjeda iu vu atëherë me tërë energjitë e veta edukimit të rinisë me dashuri të veçantë për gjuhën dhe për kulturën shqiptare. Pak muaj para vdekjes, (1 gusht 1937), botoi, si testament poetik të rrallë për bukuri e forcë, poemthin "Liria".

Krasniqi lidhja me Mjedën nga sonetet

Studimi i sonetit në poezinë shqipe, ka qenë një preokupim i hershëm i Dr. Milazim Krasniqit, qe nga vitet 1986-1989, kur ai ka studiuar sonetet e Ndre Mjedës. Fillimisht ai e ka parë figurën e tij nga ky këndvështrim, ndërkohë që Mjeda u bë “lajtmotivi” që e shtyu drejt studimit të të tjerë soneteve shqiptare. Milazim Krasniqi u lind më 25 tetor 1955 në Breznicë, një lokalitet afër Prishtinës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme të mjekësisë në Prishtinë. Studimet për letërsi shqipe i kreu në Universitetin e Prishtinës, ku magjistroi në vitin 1988, me temën “Struktura e vargut të Ndre Mjedjes”. Po në Universitetin e Prishtinës ka fituar gradën e doktorit të shkencave filologjike me tezën e disertacionit “Soneti në poezinë shqipe” më 15 shtator 2004.

Mentor Qoku, mjedologu shqiptar

Quku ka filluar të merret me studimin e veprës së Mjedës që në vitin 1974, kur mori pjesë në një Konferencë Shkencore për letërsinë artistike për fëmijë, nga Akademia e Shkencave të Tiranës. Kërkimet e tij përveç në arkiva e biblioteka të ndryshme kanë shkruar deri te arkivat e Vatikanit, për faktin se Mjeda ka qenë prift dhe famullitar, dhe për një kohë edhe At Jezuit. Vepra dhe letërkëmbime flasin për veçorinë e Mjedës si një gjuhëtar shumë i zoti, më i madhi i kohës së vet, i lidhur me gjithë albanologët më të mëdhenj të kohës. Ka qenë i pari shkrimtar që mori pjesë në një konferencë ndërkombëtare të orientalistëve në Hamburg të Gjermanisë në shtator të 1902-ës. “Ai ka qenë natyrë e tërhequr, shumë impulsiv në punë, por nuk ka shfaqur shumë. Mjeda nuk ka bërë jetë publike të madhe, atë e ka bërë vetëm gjatë kohës kur ka qenë deputet në parlamentin shqiptar në dy mandate më 1920 dhe 1924”, vëren në një intervistë të tijën Quku. Mjeda ka qenë profesor në Liceun e Gjuhës Shqipe në periudhën e fundit të jetës, në Liceun e jezuitëve në Shkodër edhe pse një njeri që nuk kishte aftësi të të folurit rrjedhshëm. Njëri ndër poliglotët më të mëdhenj shqiptar, ai ka njohur 13 gjuhë të huaja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›