E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për 10 ditë do të përfundojë emërimi i drejtuesve të rinj të Bashkisë së Tiranës

29/07/2011  Florenc Hoxha drejtori i ri i policisë bashkiake

Florenc Hoxha është emri i drejtorit të ri të policisë bashkiake në kryeqytet. Në ditën e tretë e tij të punës në Bashkinë e Tiranës, ashtu siç ka bërë me emërimin e nënkryetarëve, Lulzim Basha prezantoi nga zyra e tij mesditën e djeshme edhe kreun e ri të policisë bashkiake. Florenc Hoxha, ish-shefi i komisariatit numër tre në kryeqytet, do të zërë vendin që deri tani e mbante Zyhdi Dajti në krye të policisë bashkiake, e cila merret me zbatimin e rregullave në qytet. Në të njëjtën kohë Basha ka emëruar edhe Florian Pustinën si shef të kabinetit. Ndërsa gjatë ditëve të kaluara, konkretisht në ditën e parë, ai emëroi Jorida Tabakun si nënkryetare të Bashkisë dhe Etion Kapedanin si administrator të Bashkisë. Ndërsa në ditën e dytë Basha bëri dhe prezantimin e nënkryetarit të dytë të bashkisë më të madhe në vend, Edmond Panaritit. Burime brenda Bashkisë së Tiranës thanë dje për gazetën se brenda javës së ardhshme pritet të përfundojë emërimi i gjithë drejtuesve të Bashkisë, të cilët do të plotësojnë vendet e ish-drejtorëve, të cilët me urdhër të ish-kryebashkiakut Rama dhanë dorëheqjen nga postet e tyre. “Maksimumi për 10 ditë do të përfundojë emërimi i gjithë drejtorëve të rinj të Bashkisë”, - u shprehën dje për gazetën burime brenda Bashkisë. Gjithashtu mësohet se po punohet në shqyrtimin e kandidaturave të mundshme, ndërkohë që mësohet se këshilltari i kryeministrit Berisha për çështjen e pronave dhe kontrollin e territorit Flamur Kuçi pritet të emërohet drejtor i urbanistikës në Bashkinë e Tiranës. Prej vitesh ai është një njohës i mirë i çështjes delikate siç është sektori i pronave në Shqipëri. Kuçi në këtë post vjen pas premtimeve të Bashës për zhbllokimin e ndërtimit në Tiranë dhe dhënien e hipotekave për të gjithë qytetarët që kanë blerë shtëpinë, por nuk e kanë regjistruar.

100 ditët e para

Në fjalën e tij të parë para këshillit bashkiak Basha ka detajuar edhe planin e punës që do të ndiqet nga administrata në 100 ditët e para të qeverisjes për zhvillimin dhe përmirësimin e imazhit të kryeqytetit. Në programin e hartuar për ditët e para të qeverisjes përfshihen një sërë projektesh për transformimin e kryeqytetit. Fillimisht do të punohet për ngritjen e strukturave të posaçme për mbrojtjen e konsumatorit, më pas do të vijohet me planet e tjera, nxitjen e investimeve të biznesit e të punësimit, zgjidhjen e çështjes së trafikut në qendrën e Tiranës, adoptimin dhe zbatimin e masave për mundësimin e hipotekimit të banesave të pahipotekuara, eliminimin e një sërë taksash dhe tarifave, si dhe do të punohet për përgatitjen e paketës fiskale. Por gjatë kësaj periudhe do të punohet edhe për eliminimin e 60 llojeve të taksave dhe tarifave, si dhe do të merren masat e duhura për përgatitjen e paketës fiskale dhe asaj të shpenzimeve për vitin 2012, ndryshime të cilat do të pasqyrohen edhe në faqen zyrtare të shpenzimeve të Bashkisë. Po në këtë linjë, sipas Bashës, do të punohet edhe për emetimin e kartës së studentit me tarifa zero ose të reduktuara lidhur me shërbimet bashkiake që ata duhet të përfitojnë. Gjithashtu në planin e punës është përcaktuar dhe ngritja e parqeve dhe shkollave, shtrimi i rrugëve dhe trotuareve.

Volfart: Zëri i çdo qytetari duhet të dëgjohet

Prezenca e OSBE-së në vendin tonë nëpërmjet ambasadorit të saj në Shqipëri Eugen Volfart ka shprehur mbështetjen për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Policinë e Shtetit për administrimin e përsëritjes së zgjedhjeve. Nëpërmjet një deklarate të OSBE-së prezenca e këtij institucioni në Shqipëri njofton se i huazoi dje një numër telefonash satelitorë Policisë së Shtetit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në mbështetje të veprimtarisë të tyre në zonat e thella rurale gjatë përsëritjes së zgjedhjeve vendore më 31 korrik 2011. Nga ana e tij, shefi OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Volfart, me këtë rast deklaroi: “Pajisjet do të mbështesin kapacitetet e institucioneve të shtetit shqiptar në fushën e komunikacioneve gjatë përsëritjes së zgjedhjeve vendore edhe në zonat më të thella, në të cilat mungon mbulimi i plotë i rrjeteve të telefonisë celulare”. Sipas tij, “çdo qytetar shqiptar gëzon të drejtën e votës dhe që vota e tij ose e saj të numërohet, pavarësisht nëse vota është hedhur në qytet apo në një luginë të thellë”. Mësohet se përveçse do të huazojë pajisjet e saj, prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të mbulojë kostot e komunikacioneve për administrimin e përsëritjes së zgjedhjeve. Një mbështetje e njëjtë iu ofrua Policisë së Shtetit edhe gjatë zgjedhjeve vendore të mbajtura më 8 maj 2011. Sipas njoftimit të bërë nga OSBE-ja në vendin tonë, asistenca ofrohet në kuadrin e mbështetjes së vazhdueshme të prezencës ndaj institucioneve të shtetit shqiptar për të bërë të mundur administrimin e suksesshëm teknik të procesit zgjedhor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›