E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të pandehurit akuzojnë birin për vrasjen e të atit

29/07/2011  Burg pa afat për vrasësit e 78-vjeçarit në Pojan

KORÇE- Gjykata e rrethit gjyqësor Korçë në seancën gjyqësore të ditës së enjte caktoi masën e sigurisë për dy autorët e vrasjes së 78- vjeçarit Ali Zeneli, banues në fshatin Pojan të Korçës, si dhe për të pandehurin e tretë, i cili ditën e vrasjes kishte qenë së bashku me dy protagonistët e ngjarjes tragjike. Pas shqyrtimit të fakteve dhe provave, gjykata caktoi masën e sigurisë burg pa afat për Edison Demirin, 26 vjeç dhe Marinel Demirin, 25 vjeç, që të dy lindur dhe banues në Pojan të Korçës, të cilët akuzohen për veprën penale: “Plagosje e rëndë me dashje me pasojë vdekje e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 88/2 dhe 25 te Kodit Penal. Ndërsa për të pandehurin e tretë, Bledian Demirin, 29 vjeç, lindur dhe banues në Pojan, i cili akuzohet për veprën penale “moskallëzim të krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal, gjykata dha masën e sigurisë arrest shtëpie. Ky i fundit është nipi i viktimës, ose e thënë ndryshe, djali i motrës së viktimës. Megjithatë, të pandehurit jo vetëm që nuk pranuan autorësinë e vrasjes se 78-vjeçarit, por në të njëjtën kohë akuzuan birin e viktimës, Petrit Zenelin, duke pohuar kështu se kishte qenë ai që kishte vrarë të atin dhe jo ata. Kujtojmë me këtë rast se ditën e ngjarjes, tre të pandehurit (Edison, Marinel dhe Bledian Demiri) ishin konfliktuar me djalin e viktimës, Petrit Zeneli, ndërsa viktima Ali Zeneli kishte dalë në mbrojtje të djalit të tij. Pikërisht në këtë kohë ishte qëlluar edhe viktima, gjë që është konfirmuar edhe nga hetimet e kryera. Ndërkaq e njëjta gjë u pohua edhe nga avokati i të pandehurve, i cili kërkoi caktimin e një mase sigurie më të lehtë për ta, sepse, siç u shpreh ai, gjykata nuk kishte të dhëna të mjaftueshme mbi fajësinë e të pandehurve. Versioni se nuk ishin ata vrasësit e 78-vjeçarit u mbrojt edhe nga nëna e Bledian Demirit, e cila njëherësh është dhe motra e viktimës. Edhe kjo e fundit argumentoi se kishte qenë biri ai që kishte vrarë të atin, sepse sipas saj, mes babait dhe djalit kishte pasur konflikte pronësie. Megjithatë, pavarësisht nga deklarimet e të pandehurve, të nënës së Bledian Demirit dhe avokatit, gjykata pas provave të paraqitura nga organi i akuzës caktoi masat e sigurisë, të cilat janë cituar më lart. Sipas hetimeve të kryera deri më tani rezulton se “Edison dhe Marinel Demiri, gjatë orëve të para të mëngjesit të dt 25.07.2011, në fshatin Pojan, ishin konfliktuar për motive të dobëta në banesën e shtetasit Petrit Zenel, 43 vjeç, duke e goditur këtë të fundit me sende të forta dhe duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore. Ndërkohë gjatë këtij konflikti kishin qëlluar me grushte dhe sende të forta edhe babin e këtij të fundit, shtetasin Ali Zenelin, 78 vjeç, i cili kishte dalë më mbrojtje të djalit. Për shkak të dëmtimeve të rënda trupore, 78-vjeçari gjeti vdekjen më pas. Të gjitha këto u argumentuan edhe nga organi i akuzës gjatë seancës gjyqësore të ditës së enjte. V. Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›