E Diel, 1 Nëntor 2026

FMN: Jemi gati për një marrëveshje tjetër me qeverinë shqiptare

Nga Fitim Zekthi

Fondi Monetar Ndërkombëtar në Tiranë tha dje se marrëveshja e tij trevjeçare me qeverinë shqiptare përfundon në janar të këtij viti dhe se, nëse do të vijohej me një marrëveshje tjetër, këtë gjë do ta diskutonin me qeverinë shqiptare, nëse kjo e fundit do të kërkonte një marrëveshje të re me të. Përfaqësuesja e FMN në Tiranë, Ann Margaret Westin, tha se Fondi Monetar Ndërkombëtar është i gatshëm për një marrëveshje të, re e cila mund të ishte më pak e ashpër me qeverinë shqiptare. “Nëse autoritetet shqiptare janë të interesuara, FMN është gati për diskutuar të tjera lloje programesh që mund të vazhdojnë, kur programi aktual të mbarojë. Një program i tillë do të përqendrohej përsëri në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, por do të përmbante më pak kushte për reformat strukturore dhe mund të përmbajnë ose jo akses për financime nga Fondi. Të tilla marrëveshje mund, për shembull, të kenë formën e një marrëveshjeje të rregullt ose paraprake të gatishmërisë (Stand-By)”, - tha përfaqësuesja e FMN. Në janar të 2009, programi aktual 3-vjeçar i FMN me qeverinë e Shqipërisë, i mbështetur nga marrëveshjet e kombinuara PRGF (Fondi i Reduktimit të Varfërisë dhe Rritjes Ekonomike) dhe EFF (Fondi i Zgjeruar) do të përfundojë, duke supozuar se rishikimi i gjashtë dhe i fundit do të përfundohet në kohë. Programi aktual është i gjashti që Shqipëria ka me FMN, si dhe i katërti afatgjatë. Që në fillim të tij, pritej që ky do të ishte programi i fundit PRGF me Shqipërinë, i cili është konceptuar për vendet më të varfëra. Së fundi, vlen për të vërejtur se ka apo nuk ka një program me FMN një vend anëtar, përsëri ka akses në asistencën teknike të FMN dhe ne përsëri do të ndërmarrim konsultimet e Artikullit IV, çka ne e bëjmë me të gjitha vendet anëtare. E tërë deklarata e Fondit Monetar Ndërkombëtar në thelb kishte arsyetimin se Shqipëria nuk ka arsye të mos kërkojë një marrëveshje të re me të dhe se qeveria shqiptare ende ka nevojë për asistencën dhe monitorimin e FMN. Pak ditë më parë ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se Shqipëria është në gjendje vetë që të çojë përpara reformat në ekonomi dhe se ajo po vetë mund t’ia dalë të ruajë të pacenuar disa prej treguesve bazë të ekonomisë. Me këtë z. Bode tha se FMN nuk ka pse të jetë më në Tiranë. Opozita e ka kundërshtuar ashpër këtë qëndrim dhe ka kërkuar që FMN të nënshkruajë një tjetër marrëveshje me qeverinë, pasi kjo e fundit ta kërkojë atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›