Çdo të thotë të jesh shkrimtar në ditët e sotme, në Evropë?
Pa iu dhënë stërhollimeve, mund të themi se shkrimtari formëson sintezën mes zotërimit të gjuhës në të cilën shkruan dhe nevojës për t’u shprehur, për të komunikuar. Sidoqoftë, për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, të paktën për një njeri si unë, që për dyzet vjet ka punuar si gazetar i sektorit të kulturës, s’ka dyshim që do të duhej një libër jo pak vëllimor. Porse, le të ndalemi paksa te profesioni i gazetarit: e shtruar në vija të trasha, gazetari synon të mbledhë, të hedhë dritë dhe të japë komente mbi ngjarjet. Gazetari i sektorit të kulturës bëhet pjesë, nga ana e tij, e një veprimtarie dinamike në grup, brenda të cilës shfaqet, nganjëherë në radhët e truprojës, një veprues; nuk është se bie fort në sy, por, gjithsesi, është një veprues.
Mund t’i rastisë që të shkruajë rreth teatrit, muzikës, vallëzimit apo letërsisë, e megjithatë, në të gjitha rastet atij i duhet edhe vetë, nëse mund të shprehem kësisoj, që të jetë një krijues. Porse kjo punë mbart në vetvete edhe diç parazitare, pasi, pavarësisht se çfarë origjinaliteti, thellësie apo risie shfaq, mbetet gjithnjë një punë që kapet me thonj pas punës së tjetërkujt. Prej këtu, besoj se nuk është aspak për t’u çuditur, kur mësojmë se një numër jo i pakët gazetarësh të sektorit të kulturës, krahas profesionit të tyre tërheqës, vendosin që të lëvrojnë kopshtijen e tyre të fshehtë dhe t’u kushtohen shkrimësisë: romanit apo poezisë.
Sikundërse shprehej Pessoa, padyshim një ndër pendët më të madhërishme të shekullit të XX, çdo shprehësi artistike nuk përkthen përpos se një mungesë. Dhe, për të mbushur këtë zbrazëti, neve që s’mund të rrahim të përmbushim gjë tjetër, nuk na mbetet përpos se shkrimësia. Çka nënkupton, afërmendsh, një zotërim të thellë të gjuhës që flasim dhe përdorim, porse kjo nuk mjafton, që një vepër të jetë një krijim artistik.
Ky zotërim i thellë i gjuhës duhet të shoqërohet me kënaqësinë për të luajtur me fjalët, me kumbimet e tyre. dhe mos harrojmë se në kryeherë, thuajse në pjesën dërrmuese të qytetërimeve dhe, në mënyrë më të qartë dhe të theksuar në Greqinë e lashtë, poezia dhe muzika shiheshin si i njëjti realitet artistik. Duke qenë pazgjidhshmërisht të ndërlidhura, poezia ka për detyrë që të sjellë vetvetiu në kujtesë muzikën, i duhet të krijojë, tek e fundit, muzikën e vet, një muzikë e brendshme apo intime.
Kaq përsa i përket formës. Porse më e rëndësishme është përmbajtja, thelbi i saj. Poezia nuk është assesi një vështrim narcistik mbi njeriun e brishtë që shkruan. Ajo s’mund të anashkalojë assesi spektaklin, shfaqjen e botës. Pa arritur deri në angazhimin radikal të poetit palestinez Mahmud Darvish (që nuk e harroi për asnjë çast se ishte poet), poezia lipset të ngjizë aktorin e saj. Le të mos rrezikojmë të tregohemi të mefshtë: personalisht nuk e besoj aspak se poezia mund të ndryshojë botën, porse ajo ka të tëra mundësitë - çka nuk do të ishte pak - që të na e bëjë këtë botë më të banueshme. Të shkruash në lartësinë e njeriut.
Personalisht s’i kam fort për zemër sloganet, porse parulla franceze “Liri, Barazi, Vëllazëri”, e trashëguar nga shekulli i iluminizmit, vijon edhe sot e gjithë ditën të mbetet një qëndrim mjaft i pranueshëm, gjithnjë aktual (madje, duke përfshirë edhe vetë Francën sarkoziste që i ka kthyer shpinën): të lëvrosh lirinë përmes barazisë për të mbërritur tek vëllazëria. Kemi të drejtën dhe mundësinë që të ëndërrojmë, apo jo?
Poezia na ndih jo pak në këtë drejtim. Nga ana tjetër, na lipset të shkojmë përtej atij imazhi paqësues dhe të ngrirë që i shkon mjaft për osh borgjezisë dhe konservatorëve të çdo race, imazhit të poetit të ngujuar në kullën e tij të fildishtë: edhe poeti është qenie shoqërore, një veprues në jetën shoqërore (dhe kultura është ajo mbushje e zbrazëtirës nga ana e shpirtit që na e bën jetën e përditshme më të durueshme).
Prej këtu, nuk besoj se ka arsye për t’u çuditur, kur vërejmë se si një grup poetësh të rinj mblidhen dhe bashkojnë forcat dhe përpjekjet e tyre për të nxjerrë në dritë një revistë letrare. Disa prej tyre vozisin në kundër-rrjedhë; kështu, për shembull, në Belgjikën frëngjishtfolëse kemi revistën L’Arbre à paroles. Nëse kapitelat dhe shkollat nuk kanë në përgjithësi përpos se një kohë, ekzistojnë disa sipërmarrje, më bujare, të cilat mbështeten mbi gjithsa vijon në vazhdimësi; nëse në Valoni, Shtëpia e Poezisë së Amait po arrin gjysmë shekullin e jetës së saj, kjo ndodh për shkak se është ngritur mbi themelet e një utopie.
Përktheu: Shpëtim Doda
II.
Kush është Francis Chenot
- Francis Chenot, poet belg që është i ftuar në edicionin e katërt të festivalit të poezisë dhe literaturës POETEKA që po zhvillohet këto ditë në Durrës
Francis Chenot lindi në mars 1942 në Petitvoir, dikur komunë e Tournay. Prej Ardennes (krahina e vendlindjes), ai ka ruajtur heshtjen e paepur dhe ekonominë e fjalëve, të cilat shquhen në tekstet e tij.
Francis Chenot është bashkëthemelues i Shtëpisë së Poezisë të Amay-it dhe i botimeve "l'Arbre à paroles".
Në dyzet vjet, ai ka botuar, jo pak, por rreth njëzet përmbledhje dhe broshura.
Titujt më të rëndësishëm të krijimtarisë së tij janë: “Mémoire de schiste - Kujtese Rreshpe” (1981, l'Ardoisière – fitues i Çmimit René Lyr, 1982 – ribotuar me 1990 prej l'Arbre à paroles) dhe “Le principe de solitude - Principi i heshtjes” (e të tjera fragmente të shtuara më pas)». Në vitin 1997, ai botoi vëllimin e mirënjohur: “l'Orange bleue - Portokalli blu”.
Këto përmbledhje me poezi dhe tekste të tjera të botuara ndër vite, do i jepnin Francis Chenot çmimin Arthur Praillet, 1997 dhe do e veçonin nga mënyra e të shkruarit dhe e të shfaqurit të mondanitetit letrar.
Në fundin e vitit 2003, u botua «Carnets d’écorce - Ditaret e kores», libër që, sipas autorit, është vepra e tij më e arrire ndër vite, vepër kjo që e vendos Chenot si një poet që u shpëton kategorizimeve të lehta, ç’ka më pas e dëshmoi edhe vëllimi tjetër i poetik «Bûcheronner le silence - Të zhbirosh heshtjen», përmbledhje e shkruar në dimrin e Qeubec (krahina frankofone e Kanadase) gjatë qëndrimit në rezidencën e krijuesve në Trois-Rivières, botuar njëherësh prej "l’Arbre à paroles" dhe "Écrits des Forges".
Francis Chenot është kryeredaktor i «Une autre chanson - Nje kenge tjeter».