E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohen në Kod koalicionet e përbëra

Nga Armand Maho

Disa ndryshime të rëndësishme në Kodin Zgjedhor janë miratuar ditën e djeshme nga Komisioni i posaçëm parlamentar Zgjedhor. Kështu, është miratuar me unanimitet çështja e koalicioneve të përbëra. Një tjetër pikë e rëndësishme, e miratuar është ajo e përqindjes së grave që pritet të garojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kështu, do të jenë pikërisht 30 për qind gra që mund të garojnë. Nga ana tjetër, është sanksionuar dhe dokumentacioni që duhet të paraqitet për kandidim nga koalicionet dhe partitë që duan të garojnë më vete.

Tashmë nuk do të ketë koalicione të pjesshme për zona të veçanta. Lidhje e partive në një bllok do të jetë për të gjithë vendin. Por dhe për të gjithë ata që duan të garojnë si të pavarur, nuk do jetë dhe aq e lehtë. Përveçse jo më pak se një për qind të firmave, ata do të jenë të detyruar të kalojnë disa rregulla strikte për të provuar mbështetjen e tyre.

E vështirë do të jetë dhe për ato parti që nuk kanë qenë në parlament, të cilat duhet të grumbullojnë firmat e nevojshme për të paraqitur listën e tyre.

Ndërkohë, bashkëkryetari socialist i Komisionit të posaçëm Zgjedhor, Fatmir Xhafaj, tha të premten se “Kodi Zgjedhor nuk mund të përfundojë brenda 30 shtatorit”, që është dhe afati i përcaktuar në vendimin e Kuvendit.

“30 shtatori nuk mund të jetë data e përfundimit të reformës zgjedhore. Ne bëmë të gjitha përpjekjet. Është bërë një punë e konsiderueshme nga grupi i ekspertëve, komisioni ka kaluar mbi 60-70 nene dhe kjo është shumë pozitive, pasi është një volum i madh pune”, - tha Xhafaj.

Më poshtë vijojnë ndryshimet e miratuar nga ky komision.

Subjektet Zgjedhore dhe kandidatët

1. Subjekt zgjedhor është një parti politike ose një koalicion partish politike, të cilët paraqesin listë shumemërore për kandidatë, sipas rregullave që përcaktohen në këtë Kod.

2. Subjekt zgjedhor mundet të jetë edhe një shtetas shqiptar me të drejtë vote, i cili propozohet si kandidat për deputet nga një grup zgjedhësish, sipas përcaktimeve të bëra në këtë Kod.

3. Kandidat është shtetasi që plotëson kushtet e parashikuara në nenin 45 dhe nenin 69 të Kushtetutës dhe që regjistrohet si i tillë në KQZ.

Regjistrimi i partive politike si subjekte zgjedhore për zgjedhjet në Kuvend

1. Çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për tu regjistruar si subjekt zgjedhor, në KQZ, jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve.

2. Për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor, një parti politike duhet të paraqesë në KQZ:

a) vërtetimin që partia është regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë;

b) emrin, mbiemrin dhe adresën e kryetarit të partisë, i cili është personi i autorizuar për të paraqitur kandidatët;

c) emrin zyrtar, shkronjat nistore dhe adresën e partisë;

ç) specimenin e vulës së partisë;

d) emrin, mbiemrin dhe adresën e financierit të partisë;

dh) emrin, mbiemrin dhe adresën e personit përgjegjës për komunikimin me KQZ.

Regjistrimi i koalicioneve zgjedhore

1. Dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhor në KQZ, sipas nenit ... të këtij Kodi, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi, jo më vonë se 45 ditë përpara datës së zgjedhjeve.

2. Një parti politike pjesëmarrëse në një koalicion nuk mund të marrë pjesë në një koalicion tjetër dhe as të paraqesë listë shumemërore kandidatësh jashtë koalicionit ku ajo bën pjesë.

Lista e kandidatëve të partive dhe koalicioneve të partive

1. Partia politike që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor sipas neneve ... të këtij Kodi, depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 40 ditë para ditës së zgjedhjeve.

2. Partia politike pjesëtare e një koalicioni depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 40 ditë para ditës së zgjedhjeve.

3. Kandidati për deputet i regjistruar në një listë shumemërore në një zonë zgjedhore, nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër, dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish.

4. Emrat në listën e partisë paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. Numri i kandidatëve në listën shumemërore të një partie të regjistruar si subjekt zgjedhore më vete ose e koalicionit, është jo më i vogël se sa numri i mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse. Për partitë pjesëtare të koalicionit, numri i kandidatëve për partinë nuk duhet të jetë më i vogël se sa gjysma e mandateve që zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse.

5. Për çdo zonë zgjedhore të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore ose/dhe një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini.

6. Mospërmbushja e njërit prej kushteve të parashikuara në këtë nen në lidhje me përbërjen e listës shumemërore sjell si rrjedhojë refuzimin e listës nga KQZ.

Listat mbështetëse të partive politike dhe koalicioneve

1. Lista e kandidatëve të paraqitur nga partitë politike të cilat nuk zotërojnë asnjë mandat në Kuvendin pararendës, duhet të mbështetet nga jo më pak se 10 000 zgjedhës. Në rastin e koalicionit zgjedhor kjo listë duhet të përmbajë jo më pak se 15 000 zgjedhës. Bëjnë përjashtim nga ky rregull koalicioni, ku partitë pjesëtare zotërojnë bashkërisht në Kuvend një numër mandatesh jo më të vogël se numri i partive pjesëtare të koalicionit.

Kandidatët e propozuar nga zgjedhësit

1. Një grup zgjedhësish në një zonë zgjedhore kanë të drejtë të propozojnë një kandidat për atë zonë zgjedhore, i cili përmbush kushtet e përcaktuara në nenin 45 dhe 69 të Kushtetutës dhe ato të përcaktuar në këtë Kod, jo më vonë se 40 ditë nga dita e zgjedhjeve.

2. Kandidati i propozuar nga një grup zgjedhësish nuk mund të jetë pjesë e asnjë partie apo koalicioni që konkurron në zgjedhje dhe as të mbështesë haptazi apo në mënyrë të tërthortë ndonjë subjekt apo kandidat tjetër që konkurron në zgjedhje.

3. Për paraqitjen e një kandidati nga zgjedhësit, krijohet një komitet nismëtar me jo më pak se 9 zgjedhës nga zona zgjedhore përkatëse, të cilët janë të ngarkuar për mbledhjen e firmave mbështetëse për kandidatin. Jo më vonë se 60 ditë para ditës se zgjedhjeve Komiteti nismëtar regjistrohet në KQZ duke paraqitur emrat e anëtarëve të komitetit. Që komiteti të regjistrojë një kandidat për deputet duhet të ketë marrë mbështetje për kandidatin, e një numri zgjedhësish që i korrespondon me jo më pak se 1% të listës së zgjedhësve të zonës zgjedhore, sipas procedurave të përcaktuara në Kod.

Proceduara e mbledhjes së nënshkrimeve

1. Zgjedhësit depozitojnë nënshkrimet e tyre për mbështetjen e kandidatit të propozuar nga një grup zgjedhësish apo për partitë dhe koalicionet e parashikuara në nenin ... , në KQZ apo përpara noterit publik. KQZ miraton dhe vë në dispozicion formularin për depozitimin e firmave jo më vonë 90 ditë para datës së zgjedhjeve.

2. Nënshkrimi shoqërohet me të dhënat e plota të zgjedhësit ku përfshihet emri dhe mbiemri, vendbanimi i përhershëm, dhe numri i dokumentit të identifikimit. Zgjedhësi duhet të jetë i regjistruar në zonën zgjedhore përkatëse dhe nuk mund të mbështesë më shumë se një kandidat, parti apo koalicion.

Dokumentet e kandidimit

1. Dokumentet e kandidimit duhet të jenë në përputhje me kërkesat e këtij Kodi dhe sipas formës së përcaktuar në udhëzimet e KQZ.

2. Dokumentet e kandidimit duhet të përmbajnë këto të dhëna:

a) Listën e plotë të kandidatëve me renditjen përkatëse të nënshkruar nga kryetari i partisë ose propozimin nga Komiteti Nismëtar i një Grupi Zgjedhësish;

(b) emrin, atësinë, mbiemrin datëlindjen, gjininë, adresën e kandidatit dhe një kopje të dokumentit të identifikimit ;

c) deklarimin e kandidatit që ai gëzon të drejtën dhe vullnetin për të kandiduar;

ç) deklarimin e kandidatit të propozuar nga një grup zgjedhësish se ai/ajo nuk do të mbështetet apo mbështesë asnjë parti politike në zgjedhje;

d) një listë të nënshkruar nga zgjedhësit e zonës përkatëse që mbështesin kandidatin ose partinë sipas neneve ... të këtij Kodi.

Verifikimi i dokumentacionit nga KQZ

1. KQZ verifikon rregullsinë e dokumentacionit të kandidimit dhe nëse vëren parregullsi apo mospërmbushje të kërkesave të Kodit Zgjedhor, ja kthen ato subjekteve zgjedhore për korrigjim jo më vonë se 35 ditë përpara zgjedhjeve.

2. Dokumentacioni i korrigjuar depozitohet jo më vonë se 32 ditë përpara zgjedhjeve. Vendimi për miratimin ose refuzimin e dokumentacionit përfundimtar merret brenda 48 orëve nga depozitimi i tyre.

3. KQZ e publikon listën e plotë të kandidatëve në tri gazetat me tirazh më të madh në shkallë vendi, në mediat elektronike si dhe në faqen zyrtare të saj në internet. Një kopje të listës për çdo zonë zgjedhore i dërgohet Prefektit, Këshillit të qarkut, dhe KZAZ-ve, të cilat e publikojnë atë në mediat vendore dhe e shpallin në vende publike në zonën e tyre, sipas udhëzimeve të marra nga KQZ.

4. Emrat e listave shumemërore, dhe renditja e tyre nuk mund të ndryshohen pas miratimit përfundimtar nga ana e KQZ sipas pikës 2 të këtij neni.

5. Jo më vonë se 90 ditë nga dita e zgjedhjeve, KQZ përcakton me udhëzim të veçantë rregullat për verifikimin e dokumentacionit të kandidimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›