E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjarët e viktimave në Gërdec: Prokuroria favorizon kriminelët

Familjarët e viktimave në Gërdec janë rebeluar ndaj organit të prokurorisë, duke e akuzuar se favorizon shkaktarët e shpërthimit të 17 marsit 2008, ku 26 persona humbën jetën dhe 300 të tjerë u plagosën. Dje, ishte caktuar që të zhvillohej procesi gjyqësor në Gjykatën Civile të Tiranës, ku familjarët e viktimave të Gërdecit i kërkonin prokurorisë marrjen e akteve hetimore të dosjes. Por prokurori Alfred Progonati, i ngarkuar nga Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, të marrë pjesë në këtë proces, nuk ka denjuar të marrë pjesë, duke munguar për herë të tretë. Ky episod është cilësuar nga familjarët si sjellje jokorrekte e hetuesve të çështjes, madje ata kanë akuzuar organin e prokurorisë se në vend që të kryejë një proces të rregullt ligjor shkon e favorizon kriminelët që sollën vdekjet masive të familjarëve të tyre. Njëri prej tyre, Feruz Durdaj, thotë se viktimat e tragjedisë janë organizuar dhe kanë krijuar një shoqatë. "Qëllimi i saj është organizimi i viktimave të tragjedisë për të ndjekur dhe ezauruar të gjitha shkallët ligjore, deri në dëmshpërblimin e plotë të dëmit njerëzor, material dhe psikik të familjarëve. Shoqata do të ketë si qëllim që të nxisë qeverinë për marrjen e përgjegjësisë që i takon dhe të gjejë fajtorët e shpërthimit", deklaron Feruzi, duke shtuar se hetimi duhet të shtrihet te personat që kanë pasur dijeni dhe kanë lejuar që të ngrihet një fabrikë demontimi municionesh në një zonë të banuar. Sipas shoqatës, hetimi duhet të shtrihet edhe te zyrtarët, që me veprimet apo mosveprimet e tyre kanë shkaktuar dhimbje në jetët e tyre. "Unë mendoj se të implikuarit e tragjedisë së Gërdecit duhet të dënohen me 100 vjet për çdo viktimë, pasi duket qartë se viktimat nuk kanë pasur asnjë faj në këtë katrahurë", deklaron Feruzi Durdaj, i cili ka humbur fëmijën, vjehrrin dhe nusen e vëllait nga shpërthimi i fuqishëm i datës 15 mars 2008.

Seanca
Dje u shty për herë të tretë procesi gjyqësor që kanë çelur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, trashëgimtarët e viktimave të Gërdecit kundër Prokurorisë së Përgjithshme, për ta detyruar këtë të fundit që t‘iu japë atyre aktet e procedimit penal. Juristët të cilët përfaqësojnë viktimat në bashkëpunim me lëvizjen "Mjaft", sqarojnë se megjithëse kjo çështje është e varur në këtë gjykatë që më 2 dhjetor 2008, për shkak të mosparaqitjes, pa shkaqe të arsyeshme të Prokurorisë, procesi gjyqësor shtyhet. Familjarët e viktimave shprehen të vendosur që nëse Prokuroria e Përgjithshme nuk paraqitet dhe në seancën e radhës, ata do të përshkallëzojnë qëndrimin e tyre ndaj këtij institucioni. Seanca dje ka filluar në prani të dhjetëra personave. Çështja u gjykua fillimisht nga gjyqtari Gerd Hoxha. Duke shpallur moskompetencën, çështja u hodh në short, e cili i ra gjyqtari Asim Vokshi. Ky gjyqtar kishte kryer të gjitha fletëthirrjet për palët në proces. Në sallë ishin vetëm familjarët, ndërsa organi i akuzës, iu përfaqësuar nga prokurori Alfred Progonati, një nga prokurorët e dosjes "Gërdeci" nuk është paraqitur. Mbrojtësit ligjorë të familjarëve të viktimave të Gërdecit ngritën dyshime se prokurori mund të ketë marrë "urdhër nga lart", ndërsa u hodh hipoteza se organi i prokurorisë nuk dëshiron që trashëgimtarët e viktimave të Gërdecit të marrin në dorë aktet hetimore. Loja e prokurorisë konsiston në shtyrjen e njëpasnjëshme të seancave deri në dërgimin e dosjes në Gjykatën e Lartë. Sipas procedurave ligjore, nëse dosja dërgohet në Gjykatën e Lartë, atëherë familjarët e viktimave nuk kanë asnjë të drejtë të njihen me aktet hetimore. Viktimat e tragjedisë i cilësojnë këto veprime si shkelje e të drejtave procedurale që vënë në dyshim paanshmërinë dhe ligjshmërinë e hetimit që po kryen Prokuroria e Përgjithshme.

Aktet hetimore
Arsyeja e këtij procesi është marrja e akteve të dosjes hetimore të tragjedisë së Gërdecit dhe vënia në dispozicion të përfaqësuesve ligjorë të familjarëve të viktimave. Kjo e drejtë e bazuar në nenin 58 të Kodit të Procedurës Penale shërben për të përgatitur kërkesë-padinë ku do të përcaktohet dëmshpërblimi për familjarët e viktimave. Duke mos pasur mundësi të marrjes së akteve të dosjes hetimore, do të ishte e pamundur që familjarët të formulonin kërkesat e tyre për dëmshpërblim, ashtu si dhe prokurorët do ta kishin të pamundur të përcaktonin fajtorët dhe masën e dëmit pa pasur mundësi të lexonin aktet e dosjes.
Për këtë arsye, prej datës 2 dhjetor 2008, familjarët e viktimave përmes përfaqësuesve të tyre, i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës, për të kërkuar përmes një procesi gjyqësor, aktet në fjalë. Mosvënia në dispozicion e akteve do të pengonte gjetjen e të vërtetës dhe dëmshpërblimin e viktimave. Duhet pasur parasysh se kërkesë-padia në këtë rast është komplekse dhe do të kërkonte studimin e grupit që po punon për një kohë të konsiderueshme, duke qenë se vetë Prokuroria ka gati një vit që po punon për këtë çështje. Në këto kushte, çdo vonesë tjetër nga ana e Prokurorisë, do të linte jashtë procesit gjyqësor kërkesën civile të viktimave, duke bërë të pamundur dëmshpërblimin e tyre. Në një rast të tillë do të kishim të bënim me një sabotim të hapur të interesave dhe të së drejtës për dëmshpërblim të familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gërdecit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›