Dëshmitarët tregojnë krimet e Altin Dardhës
Tre dëshmitarë kanë treguar dje në Gjykatën e Tiranës krimet monstruoze të Altin Dardhës në qytetin e Beratit në vitin 1997. Ata kanë deklaruar se "ushtari" i Dardhës, Gëzim Kasemi ka ekzekutuar disa persona për llogari të bandës famëkeqe. Një prej dëshmitarëve ishte një ish-oficer krimesh. Gentian Musabelliu ka pohuar se Policia e Shtetit ka gjurmuar për disa ditë bandën, por në fund nuk ka arritur të arrestojë personat përgjegjës. Në Gjykatën e Tiranës ka filluar kështu gjyqi ndaj Gëzim Kasemit, i cili një vit më parë u ekstradua nga Milano, ku u prangos për llogari të drejtësisë shqiptare. Ai po rigjykohet, pasi në momentin që është dënuar me 23 vjet burg, ka qenë në arrati. Ai u gjet fajtor nga Gjykata e Tiranës në vitin 2001, pasi dyshohet të jetë bashkautor me Altin Dardhën, Altin Isufin dhe Agron Balliun, në ekzekutimin e Burhan Tomorrit, Abdyrrahim Tomorrit, Behar Eskiut dhe Kastriot Bejkos, ndërkohë që Ramadan Eskiu dhe Vlash Shkurti, i shpëtuan vdekjes, por morën disa plumba. Ngjarja që tronditi Beratin ka ndodhur më 25 shkurt 1998, kur kapobanda Dardha bashkë me vlonjatin Isufi, Balliun dhe Kasemin qëlluan për t‘u hakmarrë për vrasjen e të atit nga viktima Tomorri. Atentati ndodhi pranë stadiumit të qytetit, vetëm pak metra larg nga dera e Drejtorisë së Policisë, në kohën që gjashtë viktimat po pinin kafe në një lokal. Atentatorët u larguan drejt fshatit Uznovë, ku vranë një të moshuar për t‘i tërhequr vëmendjen policisë. Pas kësaj, policia mundi të arrestonte Bilalin dhe Kasemin, ndërsa Dardha dhe Isufaj morën peng një oficer policie dhe u larguan rrugëve të fshatrave të zonës. Isufaj, u vra ndërsa i bëri rezistencë policisë, ndërsa Dardha mundi të largohej, por tri ditë më vonë u vra në rrethinat e Janinës nga killeri nga Kuçova Arjan Paja.