E Shtunë, 31 Tetor 2026

Simo: Buxheti i Tiranës ka marrë fuqi ligjore

Nënkryetari i këshillit Bashkiak Petraq Simo ka deklaruar dje se sipas tij buxheti i bashkisë për vititn 2009 është miratuar me votën e ligjshme të anëtarëve të këshillit dhe tashmë ai ka marrë formë të plotë ligjore. Ndërsa për situatën bllokuese me dokumentin më të rëndësishëm financiar të kryeqytetit fajëson marrëdhëniet mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të LSI-së, Ilir Meta. "Berisha dhe Meta duhet të gjejnë diçka tjetër për të vazhduar muajt e mjaltit politik mes tyre, e jo buxhetin e Tiranës, që boll e mbajtën peng për interesat e tyre, në dëm të interesave të qytetarëve", tha dje Simo. Nënkryetari i këshillit Bashkiak të Tiranës u shpreh se "refuzimi i Prefektit është vazhdim i lojës së Berishës e Metës, por për mua kjo lojë është e mbyllur". Sipas tij, me votat e shumicës dhe në bazë të Kushtetutës e Ligjit, sot buxheti ka hyrë në fuqi.

Për këtë ai konfirmon edhe faktin se "ia kam komunikuar me shkrim edhe Prefektit, përmes shkresës me Nr.prot.1425/2; dt.23.02.2009". Ndërkohë, kryebashkiaku Edi Rama ka vijuar me nismën "një qytetar- një pemë" përmes mbjelljes së 30 pemëve në rrugën "Sami Frashëri" (bulevardi "Bajram Curri" - Sheshi "Ëillson"). Ai ka kumtuar lajmin se ka kaluar mbi 1 mijë, numri i pemëve që po mbillen në qytet, falë pjesëmarrjes së sipërmarrjes në këtë nismë. Sipas Ramës, kjo është shprehje e rritjes së ndjeshmërisë qytetare dhe e numrit të atyre që po i bashkohen kësaj nisme. "Një qytetar-një pemë", nga një slogan po kthehet në një nismë të mishëruar në realitetin e përditshëm, me shpresën e plotë që do të shkojë duke u përshkallëzuar dhe do të arrijmë vërtet në një kohë jo shumë të largët, që për çdo qytetar, ne të kemi mbjellë një pemë", tha Rama në këtë aktivitet.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›