E Diel, 1 Nëntor 2026

Himarë, kërkohet autonomi pas protestës

• Një ditë pas protestës para rajonit të policisë, himariotët kërkojnë autonomi.

HIMARE/ QEMAL BIRAKU

Kërkesën ia kanë bërë dje zv.ministrit të Jashtëm helen, Theodhoros Kasimis, i cili zhvilloi një takim me banorët në oborrin e shkollës greke.
Nën tingujt e himnit grek dhe flamurëve të shtetit fqinj përreth, tubuesit kanë bërë thirrje për të qenë pjesë e shtetit grek, me të drejtë vote dhe shpalljen e qytezës si autonome. Përballë banorëve, të cilët kanë komunikuar gjatë gjithë kohës në greqisht, Kasimis ka deklaruar se: “Sot Greqia mund të ndihet këtu me praninë time. Himara të funksionojë si Greqia. Prandaj ju duhet të rrini këtu në vendin tuaj, restoja janë vogëlsira, të cilat nuk na i nxjerr dot kush nga shpirti. Këtë duhet të mendojmë dhe kuptojmë së bashku. Ne jemi këtu midis jush, jetojmë me ju si dhe ju përfaqësojmë këtu. Vizita e sotme është me qëllim t’u shohim si jeni dhe çfarë problemesh keni”. Në prani dhe të kryebashkiakut Vasil Bollano, diplomati grek nuk ka kthyer përgjigje direkte mbi autonominë e qytetit bregdetar, i përfshirë në Qarkun e Vlorës, duke u shprehur se gjithçka funksionon në bazë të ligjeve që ka çdo shtet. Sipas tij, “sot nuk janë më të rëndësishëm kufijtë mes vendeve sa ajo se si ndihemi dhe se si funksionojmë, prandaj kryesore janë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis dy shteteve dhe kombësive”.
Takimi i Kasimisit në Himarë pasqyrohej edhe nga media greke, të cilat kanë intervistuar banorë, mes të cilëve edhe një nga të përfshirët e ngjarjes së dy ditëve më parë, që shkaktoi protestë të banorëve, i cili është ankuar për dhunën e policëve shqiptar ndaj tij. Më pas Kasimis ka marrë pjesë në mbledhjen me dyer të mbyllura në zyrat e organizatës “Omonia”, për t’u nisur drejt Sarandës. Ndërkohë, Bollano u shpreh se takimi i Kasimisit flet për marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, tregues tjetër pozitiv dhe i rëndësishëm për Himarën, pas ndihmës që Greqia dha për marrjen e ftesës në NATO.
Ndërsa në shkollën greke zhvillohej takimi me zv.ministrin grek, një grup hetimor i ardhur nga Vlora ka nisur hetimi për ngjarjen e ndodhur një ditë më parë, para rajonit të policisë së Himarës. Ata kanë marrë denoncimin e dy të shoqëruarve Erjon Rrapo dhe Manol Zoto, (i deklaruar nga banorët si me të meta mendore) të cilët akuzuan punonjësit e policisë për keqtrajtim. Këta të fundit janë pezulluar nga detyra, deri në sqarimin e rrethanave për të cilat akuzohen. Mësohet se dhe policët kanë ana e tyre kanë paditur banorët për dhunë fizike të ushtruar mbrëmjen e së enjtes. Nga dëshmitë e marra banorët u shprehën se policia qëlloi me armë në mes të qytetit, ndërsa vetë ata rezultojnë se kanë tentuar të hyjnë në postën policore të Himarës me forcë, duke hedhur gurë në drejtim të godinës e personave që gjendeshin brenda saj.

Zëvendësohet rajoni i Himarës
Drejtoria e Policisë së Vlorës bëri të ditur dje, se ndaj dy punonjësve të postës së Himarës që patën përplasje me dy banorët është marrë masa e pezullimit, derisa të saktësohet nëse kanë zbatuar apo jo ligjin gjatë shoqërimit të tyre. Nga burime të besueshme deklarohet e ditët e ardhshme të gjithë efektivët e postës së Himarës do të zëvendësohen nga të tjerë punonjës. Vetë banorët deklarojnë se, policia shpeshherë i ka keqtrajtuar ata pa motivacion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›