E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndarja e vajzës, merr peng me furgon babë e bir

• KUÇOVE - Merren peng për 4 orë babë e bir në Kuçovë, në shenjë hakmarrjeje për ndarjen mes të rinjve.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, kur sipas dëshmitarëve 20-vjeçari Arenc Jorgji dhe i ati i tij, Kristaq Jorgji janë rrëmbyer nga një furgon ngjyrë blu, i cili shërbente si taksi në rrugën nacionale Kuçovë-Tiranë. Menjëherë pas dhënies së alarmit, policia e qytetit ka zbuluar se furgoni ishte në pronësi të shtetasit Xhevit Nuhut, i cili dyshohet se ka kryer rrëmbimin. Për të ndjekur furgonin dhe për të gjetur të rrëmbyerit, policia e qytetit ka ngritur postblloqe në të gjitha akset nacionale dhe rrugët dytësore që lidhin Kuçovën me qytete e fshatrat përreth. Sapo është identifikuar pronari i mjetit, policia ka bërë lidhjen mes Nuhut dhe familjes Jorgji. Nga të dhënat e para dyshohet se ngjarja është bërë në shenjë hakmarrjeje për ndarjen e Arenc Jorgjit me të bijën pak kohë më parë. Rreth orës 20:00, babë e bir janë futur në furgon, në lagjen "1 Maj", prej nga janë nisur në drejtim të paditur. Bashkë me Nuhun ka pasur dhe të afërm të tjerë që kryen rrëmbimin. Kërkimet kanë vazhduar deri në mesnatë dhe vetëm atëherë, policia e Kuçovës dhe ajo e Beratit kanë mundur që të zbulojnë makinën bashkë me pengjet dhe autorët në fshatin Nisholl, 15 km larg Beratit. Ata janë transferuar me urgjencë në komisariatin e qytetit, ku janë marrë në pyetje, për të zbardhur ngjarjen dhe rrethanat e rrëmbimit.                      d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›