Bilanci 2011, tatimet prishin llogaritë e qeverisë
Viti i shkuar nuk ka qenë ndër më të mirët për administratën tatimore në drejtim të realizimit të të ardhurave. Ministri i Financave publikoi dje treguesit fiskal të buxhetit të vitit të shkuar duke paraqitur njëkohësisht edhe ecurinë në mbledhjes së të ardhurave në arkën e shtetit, ku vërehet një përmirësim i dukshëm nga doganat, ndërsa janë tatimet ato që pasqyrohen me mosrealizime.
Qeveria kishte parashikuar të mblidhte rreth 115.6 miliardë lekë të ardhura nga tatimet gjatë vitit të shkuar, nga të cilat janë realizuar 107.1 miliardë, lekë me një diferencë minus 8.5 miliardë lekë në arkë. Duket se ecuria jo e mirë në këtë drejtim, është bërë shkak për disa ndryshime të planifikuara në strukturat drejtuese të pritshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Treguesit më problematik në realizimin e të ardhurave nga tatimet janë mbledhja e Tatimit mbi Fitimin dhe Tatimit mbi të Ardhurat Personale, të cilat gjatë vitit të shkuar u paraqiten me një ecuri ndryshe krahasuar me vitin 2010. Boshllëku i krijuar nga tatimet është rikuperuar disi nga realizimi i të ardhurave nga doganat, të cilat realizuan 128.3 miliardë lekë me një plan 101.8 për qind ose rreth 1.8 miliardë lekë më shumë se plani.
Të ardhurat totale në buxhetin e shtetit për vitin e shkuar ishin parashikuar në 344 miliardë lekë pas shkurtimeve të kryera në muajin korrik. Nga këto, qeveria ka arritur të mbledhë rreth 330.4 miliardë lekë, me një realizim prej 96 për qind. Pushteti vendor vazhdon të jetë një ndër më problematikët në drejtim të realizimit të të ardhurave duke mbledhur më pak se 75 për qind të shumës së parashikuar. Bashkitë dhe komunat vazhdojnë të mbledhin mesatarisht 11 deri 12 miliardë lekë të ardhura që prej vitit 2005 ndërkohë që shpenzimet kanë qenë tre herë më të mëdha.
Qeveria nuk ka mundur të shpenzojë të gjithë shumën e parashikuar për vitin e shkuar, pavarësisht shkurtimeve të miratuara në korrik 2011. Nëse shpenzimet totale ishin parashikuar në rreth 391 miliardë lekë, ekzekutivi ka arritur të shpenzojë 376.1 miliardë lekë ose rreth 149 milionë dollarë më pak.
Për sa i parket kostos së shërbimit të borxhit, Shqipëria vijon me një nivel të lartë të tij krahasuar me vitet e shkuara përveç atij 2010. Vendi ka shpenzuar gjatë vitit 2011 41.1 miliardë lekë për të shlyer interesat e borxhit publik, rreth 500 milionë lekë më pak se në 2010, por 4.8 miliardë lekë më shumë se në 2009. Buxheti i shtetit po paguan çdo vit e më tepër për mbrojtjen sociale në drejtim të ndihmës ekonomike, mbështetjes sociale, pagesës së papunësisë, etj. Të dhënat tregojnë se rritja më e madhe ka ndodhur gjatë vitit 2009, gjatë të cilit janë shpenzuar rreth 118 miliardë lekë në këtë drejtim.
U investuan 700 mln dollarë
Qeveria ka injektuar në ekonomi 70.3 miliardë lekë nëpërmjet investimeve publike të realizuara gjatë vitit të shkuar. Shuma është 3.4 miliardë lekë më e vogël nga sa ishte parashikuar më parë nga qeveria. Plani i investimeve nuk arrihet të realizohet pavarësisht shkurtimeve drastike të miratuara në këtë drejtim gjatë korrikut të vitit të shkuar.
