Taksa e TV, përjashtohen disa kategori
Ministria e Financave përjashton nga taksa e përdorimit të televizorit disa kategori individësh dhe subjektesh tregtare. Një udhëzim i ministrit Bode, parashikon përjashtimin nga kjo taksë, e cila mblidhet çdo muaj bashkë më tarifat e energjisë elektrike, veteranët e luftës, invalidët, të verbrit, të sëmurët paraplegjikë dhe tetraplegjikë.
Këta të fundit duhet të paraqesin pranë sporteleve të pagesës së CEZ Shpërndarjes certifikatat që vërtetojnë statusin e tyre dhe automatikisht punonjësi i kompanisë do të zbresë nga totali për tu paguar taksën e televizorit.
Pjesë e përjashtimit janë edhe bashkësitë fetare, bizneset që merren me industrinë nxjerrëse, përfaqësitë diplomatike, etj. Taksa e përdorimit të televizorit është në masën 1 200 lekë për një vit dhe vilet çdo muaj nga 100 lekë bashkë me tarifat e energjisë elektrike. Taksa e TV u dyfishua gjatë vitit të shkuar. Taksa e televizorit shkon në arkën e RTSH-së dhe përbën një ndër burimet financiare kryesore të tij krahas transfertave nga buxheti i shtetit.