E Diel, 1 Nëntor 2026

Partia Socialiste ngre kallëzim penal në Prokurori ndaj kryeministrit Berisha



Ashtu siç e kishte bërë të ditur, Partia Socialiste dorëzoi dje në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal ndaj kryeministrit Sali Berisha, për kërcënimet që ka bërë shefi i qeverisë ndaj deputetit Taulant Balla në seancën plenare të datës 28 janar dhe 23 korrik të vitit 2008. Dorëzimi në Prokurori i kallëzimit u bë nga kolegu i Ballës, deputeti dhe njëkohësisht nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Saimir Tahiri, i cili deklaroi se prokuroria duhet të nisë hetimet për Berishën. Kallëzimi penal ndaj kreut të Ekzekutivit ka ardhur si kundërpërgjigje nga Partia Socialiste, pas kërkesës së deputetit të Partisë Demokratike, Eduard Halimi, i cili e dërgoi para disa ditësh në Prokurorinë e Përgjithshme për heqjen e imunitetit si dhe kërkesën për ndjekje penale të deputetit të opozitës, Tom Doshi, për shkak se ka kërcënuar në sallën e Kuvendit deputetin demokrat Gent Strazimiri. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, në padinë penale të ngritur ndaj kryeministrit, sqaron se veprimet Berishës, të kryera në seancën plenare të datës 28 janar 2008 dhe 23 korrik 2008 ndaj deputetit Balla, dëmtojnë rëndë autoritetin e Parlamentit dhe të deputetëve të tij, si dhe marrëdhëniet juridike të vendosura për mbrojtjen dhe mirëfunksionimin e shtetit ligjor dhe të së drejtës në Shqipëri.
Tahiri
“Kam ardhur këtu në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për të bërë një kallëzim penal ndaj shtetasit Sali Ramë Berisha, njëkohësisht kryeministër i vendit, për kanosje për shkak të detyrës dhe për fyerje për shkak të detyrës ndaj deputetit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në seancat e vitit 2008. Fatkeqësisht ky nuk është kallëzimi i parë që Partia Socialiste bën ndaj kryeministrit të vendit, Sali Berisha”, - u shpreh Tahiri për mediat. Ai shprehu besimin te Prokuroria që të nisë hetimin penal me shpejtësi dhe me efikasitet duke kërkuar heqjen e imunitetit të kryeministrit Berisha dhe ndjekjen penale ndaj tij. “Kryeministri Berisha është një shkelës i përsëritur i ligjit dhe kërcënues përsëritës ndaj deputetëve të Partisë Socialiste, ndaj opozitës në tërësi. Shpresojmë që kjo padi të mos ketë fatin e padive të tjera, të mos mbetet në sirtarët e Prokurorisë, por të nisë ndjekja penale me shpejtësi dhe me efikasitet”, - tha Tahiri. Kërkesa për ngritjen e kallëzimit penal ndaj kryeministrit Berisha ka ardhur si propozim i vetë deputetit të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Deputeti socialist Balla u shpreh ditë më parë se padia ndaj Berishës do të bëhet për kanosje në seancën kuvendore të vitit 2008. “Në këtë seancë, Berisha më kërcënoi duke thënë se nuk do të kthehesha më në Parlament”, - ka thënë Balla. Në seancën e 22 korrikut, ku në Kuvend diskutohej projektbuxheti, në seancën maratonë që ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit, kryeministri Berisha humbi kontrollin duke e ofenduar rëndë deputetin Balla. Ai i tha deputetit socialist Balla se “do t’ia bënte fytyrën më të zezë se këpuca”, ndërkohë që e ofendoi atë edhe nga familjarët.
Padia
Grupi i Partisë Socialiste, në kallëzimin penal që ka ngritur ndaj gjuhës kërcënuese të kryeministrit Berisha gjatë dy seancave plenare të 2008-s i është referuar Kodit Penal në nenin 238 dhe 239.2, i cili parashikon se kanosja serioze për vrasje apo plagosje të rëndë që i bëhet punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore ose të shërbimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim. PS-ja në padi sqaron se kjo vepër, kur kryhet botërisht ose në dëm të disa personave ose më shumë se njëherë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. “Por është akoma më e rëndësishme që marrëdhëniet juridike të vendosura për mbrojtjen e jetës së deputetëve gjatë ushtrimit të funksionit të tyre publik, të jenë të garantuara e të paprekshme. Në akt-padi theksohet se është detyrë e parë e organeve dhe agjencive të ligjit që të garantojnë jetën e çdo deputeti, ashtu si dhe jetën e çdo qytetari, duke reaguar në mënyrë të shpejtë dhe efikase ndaj çdo shkelësi të këtyre të drejtave, ndaj çdo dhunuesi, agresori dhe kërcënuesi dhe duke e bërë të qartë se shkelja e ligjeve në këtë vend dënohet, madje dënohet në mënyrë të shpejtë dhe efikase.
Në këtë kallëzim penal është demonstruar edhe gjuha e përdorur e kryeministri Berisha gjatë dy seancave plenare. “Me veprimet e tij, tërësisht të kundërligjshme, thëniet e tij se ‘…kam një durim, por i bindur të jesh ti që mund të ta mbyll gojën ty në mënyrën më ekzemplare…’. (Kuvend, 28 janar 2008); si dhe ‘... ta dish mirë se do të të vras! Ti nuk shkel më i gjallë në këtë parlament! Unë do të të vras!...’ (Kuvend, 23 korrik 2008), e ka bërë të qartë kërcënimin e tij dhe kanosjen për vrasje ndaj deputetit Taulant Balla. Kanosja për vrasje e kryer nga i akuzuari Sali Ram Berisha është kryer ndaj një deputeti i cili ka qenë duke kryer funksionin e tij si deputet i Kuvendit, duke folur në foltore sipas Rregullores se Kuvendit të Shqipërisë”, - thuhet në padi, duke shtuar edhe shprehjet të thëna publikisht në seancën e datës 23 korrik 2008 se “...jot ëmë, jot shoqe, çfarë do të bëhet…? ǒdo të bëhet? Fundërrinë jot motër… fundërrinë do të bëhet jot motër, prostitutë motelesh do të bëhet? Jot motër të shkërdhehet… hoteleve apo moteleve”.

Ligji
• Kanosja serioze për vrasje apo plagosje të rëndë që i bëhet punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore ose të shërbimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim.

• Po kjo vepër, kur kryhet botërisht ose në dëm të disa personave ose më shumë se njëherë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Apeli
• Të gjithë deputetët e Kuvendit duhet të kenë si përparësi të tyre përfaqësimin e zgjedhësve të tyre në përputhje jo vetëm me Rregulloren dhe Kushtetutën, por edhe me etikën parlamentare që duhet të udhëheqë secilin gjatë ushtrimit të funksionit të tij publik.

• Marrëdhëniet juridike të vendosura për mbrojtjen e jetës së deputetëve, gjatë ushtrimit të funksionit të tyre publik, duhet të jenë të garantuara e të paprekshme. Është detyrë e parë e organeve dhe agjencive të ligjit që të garantojnë jetën e çdo deputeti, ashtu si dhe jetën e çdo qytetari, duke reaguar në mënyrë të shpejtë dhe efikase ndaj çdo shkelësi të këtyre të drejtave, ndaj çdo dhunuesi, agresori dhe kërcënuesi dhe duke e bërë të qartë se shkelja e ligjeve në këtë vend dënohet, madje dënohet në mënyrë të shpejtë dhe efikase.

15 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›