E Diel, 1 Nëntor 2026

Bilanci i biznesit: Politika abuzoi me Gjykatën Administrative

SHKRUAN: Blerina Hoxha 29-12-2010 11:31

Biznesi i bëri apel politikës shqiptare, në këtë fund viti, të miratonte Gjykatën Administrative që në fillim të sezonit të ri parlamentar, mungesa e të cilës ka dëmtuar jo pak interesat, jo vetëm të biznesit, por edhe të ekonomisë së vendit. Kryetari i Dhomës së Tregtisë së Tiranës, Nikolin Jaka, në një konferencë për mediat tha, se mbarë komuniteti i biznesit ka kërkuar me ngulm miratimin në Parlament të Gjykatës Administrative, pasi ngritjen e këtij institucioni e shikon si zgjidhjen e një kalvari pothuajse 20-vjeçar raportesh të vështira dhe shkeljesh flagrante të të drejtave të biznesit. Sipas tij, një tjetër peng i vullnetit politik të munguar është edhe realizimi i amnistisë fiskale. Në këtë drejtim, ai bëri të ditur se në janar të vitit 2011, DHTI do të depozitojë sërish kërkesën e përsëritur të biznesit për legalizimin e aseteve dhe amnisti fiskale. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka, ka deklaruar se përpjekjet për zbatimin e amnistisë do të intensifikohen duke filluar nga muaji janar. “Një tjetër peng i vullnetit politik të munguar ishte dhe realizimi i amnistisë fiskale. Ky proces kërkon një pakt social dhe një paketë të plotë ligjore por shumica dhe pakica parlamentare nuk treguan vullnetin e duhur vitin e kaluar. Nuk mund të mos përmend amnistinë që po kalon Greqia e cila mund të dëmtojë edhe amnistinë që mund të bëhet në Shqipëri lidhur me prurjet që mund të vijnë nga emigrantët shqiptarë” theksoi Jaka. Po sipas Jakës, shumë shpejt vetë biznesi do të depozitojë një draft për sipërmarrjen vendase për mbrojtjen e interesave të saj dhe stimulimin e aktivitetit. Ndër problemet e tjera, ai renditi edhe çështjen e kredive të këqija që sipas tij, kanë arritur në nivelin 14.1 % të totalit. Gjithsesi, ai tha se biznesi shqiptar gjatë vitit 2010 ka mundur të konsolidohet dhe të dalë nga "dara" e pasojave të rënda të krizës botërore ekonomike dhe financiare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›