E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bonot e thesarit, interesi konkurron eurobondin

SHKRUAN: Blerina Hoxha 29-12-2010 11:28

Rezultatet e fundit të ankandit të Bankës së Shqipërisë tregojnë për një rënie drastike të interesit, të bonove të thesarit për afatin 12-mujor në 6.9 %, nga 9 % që ishte në fillim të vitit

Për herë të parë të paktën në këto katër vitet e fundit, interesi i bonove të thesarit (letrave të borxhit qeveritar) ra në nivelin 6.9 për qind, për bonot me afat maturimi 12-mujor, nga 9 për qind që ishte në fillim të vitit, në ankandin e djeshëm që zhvilloi Banka e Shqipërisë dje. Interesi ra në këto nivele për shkak se numri i kërkesave ishte shumë më i lartë se kërkesa e qeverisë. Kështu bankat ofruan 9 miliardë lekë, ndërsa qeveria pranoi 7 miliardë, duke bërë që norma e interesit të bie poshtë 7 përqindëshit. Rezultatet e fundit të ankandit të Bankës së Shqipërisë tregojnë për një rënie drastike të interesit, të bonove të thesarit, të cilat të paktën për dy vitet e fundit kanë shënuar nivele tashmë të larta duke rënduar edhe koston e borxhit qeveritar. Në këtë nivel, interesi konkurron edhe interesin e eurobondit të marrë në tregun e huaj këtë vit nga qeveria, interesi i të cilit ishte 7.5 për qind në monedhën euro në momentin e emetimit. Sipas Bankës së Shqipërisë rënia e interesave në letrat e borxhit të qeverisë kanë ardhur për dy arsye që lidhen me kërkesën edhe ofertën. Nga njëra anë bankat kanë rritur ndjeshëm pozicionin e tyre të likuiditetit, duke rikthyer tërësisht në sistem depozitat që kishin rrjedhur për gjatë krizës dhe së dyti, qeveria ka ulur kërkesën për financimin me borxh të brendshëm të deficitit buxhetor, duke ulur kështu kërkesën për lekë në tregun vendas dhe për rrjedhojë edhe uljen e normave të interesit. Ulja e interesit të bonove të thesarit ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në uljen e interesave të kredive në lekë. Kur normat e interesit ulen, huamarrja bëhet më atraktive. Kur në tregun bankar ekzistojnë norma të ulëta interesi, konsumatorët e kanë më të lehtë të blejnë një makinë apo një shtëpi. Blerja e një shtëpie, rrit kërkesën për mallra të tjerë si mobilie, pajisje elektrike, duke i dhënë kështu një shtysë rritjes ekonomike. Për më tepër, konsumatorët shpenzojnë më pak në kostot e interesit, duke u dhënë mundësi atyre të kenë më shumë para për të shpenzuar në mallra dhe shërbime. Gjithashtu, kur normat e interesit janë të ulëta, fermerët, prodhuesit dhe bizneset e tjera e kanë më të lehtë të marrin hua për të investuar në blerjen e makinerive të ndryshme dhe në ndërtimin e ambienteve të reja bonot e thesarit dhe obligacionet janë instrumente borxhi, nëpërmjet të cilave Qeveria merr hua nga publiku dhe siguron të ardhurat e nevojshme, për të financuar borxhin e saj të brendshëm. Huamarrja nga publiku ndryshe do të kuptohej si shitja e letrave me vlerë të qeverisë, publikut. Aktualisht, Qeveria shqiptare emeton dy lloje letrash me vlerë: bono thesari dhe obligacione. Bonot e thesarit tregtohen për periudha 3, 6 dhe 12-mujore, ndërsa obligacionet kanë periudha maturimi më të gjata 2, 3 dhe 5-vjeçare. Si për çdo borxh të kërkuar, për të cilin paguhen interesa edhe qeveria paguan interesa për këtë borxh. Por, ajo kërkon që këto interesa të jenë sa më të ulëta. Në një strategji të re huamarrjes të shpallur tashmë nga Ministria e Financave, synohet që gjithnjë e më pak deficiti buxhetor do të financohet në lekë. Për shkak se, financimi i projekteve të infrastrukturës është parashikuar të bëhet nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe ndërmjet qeverisë tonë me qeveritë e vendeve të tjera. Me këtë strategji, qeveria synon të rrisë borxhin e jashtëm në raport me atë të brendshmin, çka do të thotë se interesat e bonove të thesarit do të njohin ulje të mëtejshme gjatë vitit në vijim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›