E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bilanci i fundvitit Mou e ekzagjeron Meritoj noten 11

Viti 2010 “Special One”: Viti më i mirë i karrierës sime, fitova gjithçka

“Çfarë note meritoj? Nga 1 te 10, meritoj 11”. Zhoze Murinjo nuk ka frikë ta ekzagjerojë kur i duhet të bëjë përmbledhjen e 2010-ës. “Special One” arkivon “vitin më të mirë të karrierës”, për meritë mbi të gjitha, të triumfeve në drejtimin e Interit. “Kam fituar të gjitha kompeticionet”, - thotë tekniku i Realit, duke menduar tripletën zikaltër në 2009-2010. Për vetëvlerësimin e ekzagjeruar, Murinjo thotë se kontribuojnë edhe muajt e parë të jetuar në pankinën madrilene. “Real Madrid nuk i ka humbur shpresat për të fituar titullin. Morëm pjesë në tre kompeticione dhe jemi në luftë në të gjitha frontet”, - sqaron ai, duke anashkaluar humbjen poshtëruese që pësoi pak javë më parë kundër Barcelonës. Dështimi 5-0 në “Kamp Nou”, dukshëm, nuk merret në konsideratë për këtë gjykim. Ka hapësirë edhe për një shigjetë indirekte ndaj rivalëve katalanas. Për “Topin e Artë” mund të aspirojnë vetëm lojtarët e Barcelonës: Andres Injesta, Ksavi e Leo Mesi. “Ai që fiton një trofe nuk është më i miri, - thekson Murinjo. - Është një mënyrë pragmatike për të gjykuar një situatë”. Më mirë të përqendrohemi te ecuria brilante e fazës së parë në Champions. “Ishim skuadra më e mirë. Ka qenë një vit perfekt”, - thotë në prag të sfidës në kampionat me Seviljen. Në Spanjë, me sa duket, presioni nuk është i krahasueshëm me atë që karakterizon Serinë A. “Kam vuajtur më shumë në Itali. Presioni nuk më shqetëson absolutisht”, - pohon ai. Është i duruar kur flitet për problemet në dhomat e zhveshjes mes Kasiljas dhe Ronaldos. “Kjo është një botë kompetitive. Kur nuk ka lajme, shpiken: duhet të shesin. Por, unë jam në brendësi të grupit dhe e di cila është e vërteta”, - përfundon Murinjo.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›