Inter-Boteror finalja ngjason me nje shetitje
Në arenën ndërkombëtare e njohin si Internazionale Milano, por pas mbrëmjes së djeshme, tashmë zikaltërit janë Inter-Botëror. Pritja 45-vjeçare përfundoi, Interi kthehet në çatinë e planetit futbollistik: triumfet e mëparshme ishin regjistruar në vitet e largëta 1964 dhe 1965, gjithmonë përballë argjentinasve të Independientes, ndërsa sot italianët fituan në finalen e parë historike ku merrte pjesë një skuadër afrikane. Në vitet e kaluara, protagonistë ishin Korso dhe Maxola, ndërsa dje Eto’o, Zaneti e të tjerët i dhanë pak ngjyra të vetmit trofe të klubit që qëndronte ende i “mbërthyer” në fotot bardhë e zi. Pas suksesit në Botërorin 2010, Afrika ëndërroi në aktivitetin e zhvilluar në Abu Dhabi me Mazemben. Megjithatë, i gjithë kontinenti u zgjua shpejt, madje shumë shpejt nga Samuel Eto’o. Interi i Moratit bir (debatet nëse presidenti i klubit duhet të vazhdojë të njihet me këtë epitet, kur ishte në hijen e babait Anxhelo), e ka përfunduar në mënyrë të jashtëzakonshme vitin 2010: skuadra regjistroi një fitore të lehtë 3-0. Një “manita” me tituj, pesë trofe, sa janë edhe gishtat e dorës, një aventurë e suksesshme që nisi me Zhoze Murinjon (Champions League, Seria A dhe Kupa e Italisë) dhe u kompletua me Rafa Benitez në krye të stolit (Superkupë e Italisë dhe Botërori për klube). Me këtë triumf, tekniku spanjoll merr frymë lirisht dhe realizon atë që ndoshta është objektivi i vetëm sezonal.
Kongolezëve nuk u mjafton as lutja në grup, në vijën fatale të portës përpara startit të dy pjesëve të lojës. Rezistenca e Mazembes zgjat pak. Në aksionin e parë të finales, vetëm pas 4 minutave, Eto’o gjen bukur Pandev, që ka detyrën vetëm ta shtyjë topin në rrjetë. Kur kronometri tregonte 17 minuta, protagonist është sërish sulmuesi kamerunas, që këtë herë gjen rrugën e rrjetës me një të djathtë potente nga jashtë zonës. Dy gola të shpejtë që hipotekojnë fitoren e Interit. Skuadra e N’Diaje duket e çoroditur dhe rrezikon të pësojë edhe dy rrjeta përpara pushimit mes pjesëve, por në të dyja rastet Milito hipnotizohet nga portieri Kidiaba. Në pjesën e dytë të takimit, zikaltërit ulin ritmin dhe administrojnë avantazhin, por kjo lëvizje u jep guxim afrikanëve, që rrezikojnë tri herë portën e Zhulio Sezar me Kalujituka. Por, strategjia e kundërsulmeve të Benitez dhe ndërrimet rezultojnë të suksesshme: zëvendësuesi Stankoviç gjen saktësisht Biabianinë, një tjetër lojtar të ardhur nga stoli, që realizon edhe golin e tretë.
Pas fërshëllimës që sinjalizoi fundin e ndeshjes nis edhe festa e Interit, por edhe e Eto’o, i cili fiton çmimin si lojtari më i mirë i turneut. Kapiteni Zaneti (që mbante veshur fanellën e të dëmtuarit Samuel) ngre kupën, duke kurorëzuar në mënyrën më të mirë 16 vite si zikaltër. Feston edhe Masimo Morati, i cili përqafon Benitezin. Ndër imazhet më të bukura do të mbetet hedhja e lojtarëve poshtë tribunës ku ndodheshin tifozët e tyre, që kishin udhëtuar deri në Lindjen e Mesme për të qenë të pranishëm në këtë sukses.