E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi zgjedhor, “të vegjlit” duhet të matin forcën në 2009-ën



Palët kanë rënë dakord për koalicion të përbërë

Votimi do të bëhet direkt për partinë, indirekt për koalicionin

Partitë e vogla do të detyrohen që të tregojnë muskujt e tyre realë në zgjedhjet e vitit 2009. Komisioni i Reformës Zgjedhore pritet të zyrtarizojë mënyrën e votimit, e cila do të jetë individuale ose me koalicion të hapur, siç njihet ndryshe, i përbërë. Burime pranë këtij komisioni bëjnë me dije se dy partitë e mëdha kanë vendosur pranimin e këtyre formulave. Kështu, partitë e vogla, në rast se nuk preferojnë të shkrihen me partitë e mëdha, do të duhet të matin forcën reale që kanë në elektorat. Ajo që është pranuar nga palët, PD-ja dhe PS-ja, është koalicioni i përbërë. Ky koalicion njihet ndryshe edhe si koalicion i hapur. Në fletën e votimit shënohet koalicioni dhe brenda tij emrat e të gjitha partive aleate. Votuesit nuk votojnë për koalicionin, por direkt për partinë. Kjo mënyrë vote nënkupton një votë indirekte për koalicionin. Por pavarësisht se koalicioni mund të dalë fitues, partitë brenda tij mund të mos kenë përfaqësues së Kuvend, për shkak se nuk kanë marrë votat e mjaftueshme për të kaluar pragun rajonal që kërkon sistemi proporcional rajonal.

“Të vegjlit”

Kjo mënyrë e votimit do të vendosë partitë e vogla përpara sfidës më të mëdha, përgjigjes nga elektorati. Ndërsa në vitin 2005 ishte sistemi i transferimit të votës në proporcional, gjë që bëri që shumë parti të vogla të përfaqësohen bindshëm në Kuvend, kësaj here votat duhet të merren me meritë. Në këtë situatë, duket se e vetmja formë për të mbijetuar politikisht, duke pasur një përfaqësim qoftë edhe minimal në Kuvend, është marrëveshja paraprake me partinë e madhe të koalicionit. Forma më e mundshme në këtë rast është shkrirja e strukturave me ato të partisë së madhe, me qëllimin e përfitimit të qoftë edhe një emri në listën e mbyllur të kandidatëve për deputetë. Mundësia e dytë është tërheqja nga gara, duke mos vendosur siglën e partisë në fletën e votimit, por duke i bërë thirrje elektoratit për votimin e ndonjë partie tjetër. Partitë e mëdha, duket se me këtë mënyrë kanë arritur që të vendosin sistemin e meritës. Ato do të afrojnë sa më shumë parti rreth vetes, për të rritur koalicionin, por nga ana tjetër, individualiteti i partive do të ruhet me këtë sistem votimi.

Sistemi

Koalicioni i përbërë do të thotë ndryshe, bashkim mes partish, por që secila ka forcën dhe përfaqësimin e saj. Në vitin 2009 sistemi do të jetë proporcional rajonal. Pra, do të ketë 12 zona zgjedhore, të cilat secila do të nxjerrë një numër të caktuar deputetësh, në varësi të numrit të popullsisë. Vota do të ndahet me anë të formulës matematikore të D’Hondit. Në fletën e votimit do të shënohet koalicioni dhe brenda tij do të shënohen të gjithë emrat e partive përbërëse të koalicionit. Çdo zgjedhës vendos shenjën për partinë që do. Duke votuar partinë, vota e zgjedhësit shkon për subjektin që preferon, por edhe për koalicionin ku ajo parti aderon. Ky sistem bën të mundur që vota të mblidhet sa më mirë, jep më shumë mundësi për votuesit për preferencat e tij si dhe bën të mundur që çdo parti të ruaj individualitetin e saj. Ky sistem eliminon “Dushkun” pasi do të votohet vetëm një herë dhe vetëm në një fletë votimi. Në këtë formë, çdo parti duhet të marrë vota të mjaftueshme për të kaluar pragun e çdo qarku.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›