E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspeditë njëmujore në kryeqytetin e Epirit, Finiq



Në qytetin epirot mes Sarandës dhe Butrintit, Finiq, gjatë këtyre ditëve pritet të fillojnë gërmime të reja arkeologjike. Ekspedita konkretisht do të nisë më datë 2 shtator në qytetin antik, i cili ndodhet rreth 15 km larg qytetit të Delvinës, në jug të vendit, ndërsa pritet të mbarojë katër javë më vonë. Drejtorja e Institutit Arkeologjik të Qendrës së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Shpresa Gjongecaj, bëri të ditur se “ekspedita e Finiqit do të nisë në 2 shtator dhe do të përfundojë në 2 tetor, ndërsa ka për qëllim vazhdimin e gërmimeve në këtë qytet, kryeqendër e Epirit”. Sipas saj, në këto gërmime do të marrin pjesë rreth 30 persona, mes të cilëve arkeologë shqiptarë dhe italianë, si dhe studentë dhe diplomantë, të cilët do të përqendrohen në zbulimin e teatrit të qytetit si dhe varrezave antike të tij.

“Projekti i Foinikes (Finiqit) është projekt i përbashkët i Institutit të Arkeologjisë me Universitetin e Bolonjës, Itali”, - shtoi Gjongecaj. Ky është viti i nëntë i gërmimeve dhe kërkimeve arkeologjike në qytetin antik të Foinikes dhe në territorin e tij. Kërkimet, të financuara në pjesën më të madhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Italisë, janë drejtuar nga Misioni Arkeologjik Italian në Shqipëri si dhe nga Instituti i Arkeologjisë së Shqipërisë, nën drejtimin e prof. Sandro De Maria dhe prof. Shpresa Gjongecaj. Gjatë ekspeditës arkeologjike të vitit të kaluar u gërmua në dy sektorë të ndryshëm: i pari përreth një monumenti interesant të lidhur me kultin (tempull), i pajisur me dysheme dhe zbukuruar me mozaik dhe me dy hyrje. Ky tempull ndodhej në qendër të një territori të gjerë të përbërë nga të paktën tre monumente të tjera, ku vlen të përmendet një altar i madh, të gjithë të ndërtuar në një sipërfaqe të madhe me dysheme të bërë prej një shtrese tullash dhe tjegullash si dhe gurë zalli. Më në lindje të këtij monumenti gërmimet nxorën në dritë një sektor të dytë të nekropolit, të karakterizuar nga shumë varre të periudhës helenistike të tipeve të ndryshme, të cilët dhanë një inventar të pasur me qeramikë dhe një gur varri (stelë) me mbishkrim të shekullit IV p.e.s.

Në veri të kodrës së Foinikes, në rrëzë të vargut të kodrave që shkojnë nga Stiari në Mesopotam ndodhet edhe vendbanimi i Matomarës. Qyteti i Finiqit ka një histori të lashtë. Ai ka qenë kryeqendra e kaonëve, ndërsa në shekullin III u bë kryeqyteti i gjithë shtetit të Epirit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›