E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Shteti duhet të ndërhyjë në ekonomi



Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë pranë LSI-së, Adriana Civici, deklaroi dje se shteti duhet të ndërhyjë në ekonomi, pasi sipas saj, në treg po spekulohet. Ajo u shpreh se ekonomia është e varur nga importet duke bërë që rritja e çmimeve të vijë nga Evropa. “Nga ana e qeverisë vazhdon të mos merret asnjë reformë për ta sjellë ekonominë tonë në standardet evropiane. Ne vegjetojmë pa prodhim vendas, me ekonomi të varur totalisht nga importet, për aq kohë sa rritja e eksporteve mbulon veçse 28% të ritmeve të larta të importeve dhe kur çdo shqiptari i duhet të paguajë shumë shtrenjtë jetesën e përditshme. Kjo, si rezultat i krizës së çmimeve dhe inflacionit të lartë të Eurozonës që bartin ushqimet e përditshme të importuara si dhe si rezultat i spekulimeve dhe monopoleve në tregut të brendshëm, ku roli i shtetit është pothuajse inekzistent”, - tha Civici. Ajo shtoi se shifrat e tjera në ekonominë shqiptare po përkeqësohen. “Fakti që zbutja e deficitit tregtar financohet veçse nga transfertat nga jashtë me një shifër të lartë prej 40%, dhe aspak nga rritja e prodhimit vendas apo fuqizimi i një bujqësie moderne që i mungon totalisht ekonomisë sonë, përligj dhe një herë statistikat e institucioneve ndërkombëtare që e rendisin ekonominë shqiptare 50% informale, papunësinë prej 30%, tregtinë e paintegruar dhe prezencën e madhe të kredive të këqija”, - shtoi Civici.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›