Organizata joqeveritare mbarëkombëtare mblidhen në Tiranë
Një grup organizatash joqeveritare nga të gjitha trevat e Shqipërisë janë mbledhur ditën e djeshme në Tiranë ku kanë diskutuar në lidhje me rritjen e bashkëpunimit mes tyre. Klubi Kombëtar ka qenë iniciatori i kësaj tryeze. Në këtë veprimtari morën pjesë organizata shoqërore nga Shqipëria, Kosova, Presheva, Maqedonia, Mali i Zi si edhe shoqata “Çamëria”. Fushat e aksionit të tyre shtrihen që nga protesta qytetare, të drejtat e njeriut, antikorrupsioni, barazia gjinore dhe deri tek rinia dhe mjedisi. Rreth 18 organizatat e shoqërisë civile kanë miratuar edhe planin e veprimtarive të përbashkëta për periudhën një vjeçare. “Këto organizata duhet t’i bashkojmë në një vetme ndërkombëtare”, - tha përfaqësuesi i Klubit Kombëtar, Endis Sulstarova. “Qëllimi i kësaj tryeze është që organizatat dhe shoqëritë shqiptare të bashkëpunojnë dhe t’i koordinojnë punimet e tyre në dy rrafshe. Jemi një komb që ka të përbashkët interesin për të ardhmen dhe prejardhjen dhe duhet të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin”, - u shpreh kreu i lëvizjes “Vetëvendosja”, Albin Kurti. Tryeza e rrumbullakët për bashkëpunim mbarëkombëtar u organizua nga Klubi Kombëtar me qendër në Tiranë dhe lëvizja “Vetëvendosja” me qendër në Prishtinë.