E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode harron të bëjë pazar!

Nga Kristi Pinderi

Ministri i Financave, Ridvan Bode, u shpreh dje se nuk do të ketë kompensim për rritjen e çmimeve pasi, sipas tij, duhet që më parë këtë rritje çmimesh ta konfirmojë INSTAT-i. Ky reagim i ministrit që politikat financiare i mëson nga kryeministri në konferencat për shtyp, që ky i fundit performon para gazetarëve, tregon edhe një herë në mënyrë tragji-komike se qeveria shqiptare nuk jeton fare me realitetin e mbi 3 milionë shqiptarëve. Por surpriza e kësaj here është fakti se ministry, me origjinë nga Progri i Devollit, duket se nuk paska më asnjë busull orientimi, pasi me deklaratën e tij të fundit doli kundër edhe vetë kryeministrit të tij, i cili ka folur kaq shumë për një skemë kompensimi. Nëse do të duhet ta marrim seriozisht reagimin e pabesueshëm të ministrit, atëherë të gjithë së bashku do të duhet t’i sqaronim këtij politikani, i cili paguhet me lekët e shqiptarëve, se e ka gabim! Zoti Ministër! Po të dilni nga apartamenti juaj, që ndodhet në Pallatet e Lanës (bulevardi “Zhan D’Ark”, ap. 37) dhe po të zbrisni poshtë, do të gjendeni para një mini-tregu me fruta e zarzavate dhe para një furre buke. Por meqë Ju nuk keni kohë jo më që të bëni 100 metra rrugë në këmbë, por as që të koordinoheni me shefin tuaj si dhe me zëvendësat tuaj që pardje deklaruan të kundërtën e asaj që ju thatë dje, atëherë shkuam vetë poshtë pallatit tuaj dhe pyetëm për çmimet e ushqimeve. Dhe ja si na rezultojnë ato, z. Ministër: Një kilogram portokalle, te tezga djathtas pazarit te pallati juaj, kushtonte 120 lekë. Mollët, si ato që kultivohen nga anët tuaja, kushtonin 140 lekë, mandarinat 130 lekë. Domatet ishin edhe më të shtrenjta, ndonëse të pabëra mirë z. Ministër, kushtonin 190 lekë. Kastravecat, super të kërkuara, 250 lekë, me një vlerë 50 për qind më të lartë se një vit më parë. Spinaqi, nëse e preferoni si ushqim, kushtonte dje 110 lekë. Në total, frutat, zoti Bode, u shitën dje, poshtë pallatit tuaj, përballë Drejtorisë së Policisë në Tiranë, 38 për qind më shumë se një vit më parë, zarzavatet 22 për qind më shumë. Për të mos folur pastaj për shpenzimet për ujin dhe qiratë që janë rritur në 47.2 për qind këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar. Ndërsa lëndët djegëse dhe gazi kanë një rritje prej 90 për qind nga viti kur u bëtë ministër. Rritje kjo në kohën kur shqiptarët mezi gjenin njëri-tjetrin në errësirën që qeveria juaj ua pruri në shtëpi. E në të njëjtën kohë, kur shefi juaj se ç’fliste për ca strategji nukleare apo dhe për prodhimin e etanolit përmes drithërave që pastaj ta shndërronte në energji. Ahh, meqë jemi te drithrat: Një bukë standarde, 800 gramëshe, zoti Bode, poshtë pallatit tuaj kushtonte dje 100 lekë, nga 60 që ishte kur e morët ju firmën e Presidentit për të qenë ministër i Financave. Po kjo sasi buke u tregtua dje në një fshat të largët të veriut me çmimin 150 lekë!

15 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›