E Shtunë, 31 Tetor 2026

Metropoli në sytë e një artisti shkodran

 

Njerëz që presin në stacionin e autobusit, kalimtarë të shpenguar, apo tavulla duhani të mbushura plot. Ky është metropoli, në syrin e një artisti që jeton tej rrethinave të Tiranës. U hap këto ditë në Muzeun Historik Kombëtar ekspozita “Metropol” e piktorit shkodran, Andi Hila. Pasi i ka ekspozuar disa ditë më parë në galerinë e Arteve në Shkodër, Hila sjell serinë e punëve të tij mbi kryeqytetin, edhe në Tiranë. Është një numër i kufizuar telajosh, por që shprehin pikvështrimin e artistit mbi kryeqendrën e vendit. “Metropol” nuk është një ekspozitë panoramike. Ajo është dinamike. Është një copëz jete e futur brenda kornizave të telajos. Atë çka lë pas dyerve sapo hyn në sallën e MHK-së, e gjen edhe në tablotë e Hilës. Duke u marrë edhe me fotografinë, artisti, duket sikur fikson një çast të dhënë, por tani, jo më në celuloid, por në bojëra vaji. Për të përkufizuar metropolin shqiptar, Hilës nuk i është dashur të kërkojë shumë. Turma njerëzish që presin ardhjen e urbanit ngjyrë portokalli, që përshkon tej e tej Tiranën, kalimtarë përpara Muzeut Historik Kombëtar, shitës ambulantë me fytyra të trishta, të rinj që kanë mbushur lokalet e shumta të qendrës... Gjithçka të krijon idenë e një lëvizjeje të vazhdueshme, kaotike e të zhurmshme, që sigurisht ndryshon shumë nga jeta në qytetet e tjera të vendit, mes tyre edhe në Shkodër. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›