E Diel, 1 Nëntor 2026

“Presheva”, Tirana akuzon Beogradin për sulme etnike

 

Ministria e Jashtme në Tiranë e ka dënuar arrestimin e shqiptarëve në Preshevë, duke shprehur shqetësimin për tensionimin e situatës në rajon pas veprimeve me paragjykime etnike. Një gjykatës në Beograd u ka caktuar paraburgim prej 30 ditësh shqiptarëve të arrestuar në Luginën e Preshevës më 26 dhjetor, një ngjarje që u përcoll me terrorizimin e banorëve të tjerë shqiptarë të Preshevës dhe me protesta nga mijëra qytetarë. Autoritetet e Serbisë i akuzojnë 10 të arrestuarit për krime të luftës në rajonin e Gjilanit në vitin 1999. Zëdhënësja e Gjykatës për Krime Lufte, Ivana Ramiç, tha se paraburgimi është caktuar si masë që të dyshuarit të mos largohen nga Serbia. Raportohet se disa prej shqiptarëve të akuzuar kanë dhënë deklarata, ndërsa disa janë mbrojtur në heshtje. Ndërkohë raportimeve mbi këtë arrest, ministria shqiptare i është përgjigjur me kërkesën për transparencë të plotë të të gjithë akteve dhe veprimeve të autoriteteve të Beogradit në lidhje më këtë ngjarje. “Përdorimi disproporcional i forcës, dhuna policore ndaj disa prej të ndaluarve, të cilët e kanë denoncuar atë, presioni fizik dhe psikologjik i ushtruar ndaj familjarëve të tyre, përfshirë këtu gra, fëmijë dhe pleq, bastisjet e objekteve, prania e shumëfishtë ushtarake në zonat e banuara nga shqiptarët, koha kur u krye ky operacion, të bëjnë të dyshosh se veprime të tilla kanë prapavijë dhe paragjykime etnike”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme shqiptare. Duke shprehur bindjen se tensionime të tilla ndëretnike nuk janë në interes të zhvillimeve pozitive në rajonin tonë, Ministria e Punëve të Jashtme u bën thirrje organizatave ndërkombëtare të monitorojnë nga afër situatën e të drejtave dhe lirive themelore të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ndërkohë nga Beogradi ka reaguar deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë nga Lugina e Preshevës, Riza Halimi. Ai tha për BBC-në se arrestimet e dhjetë pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga policia serbe, kanë prapavijë politike dhe bëhen për të mbajtur të tensionuar gjendjen në Luginë. Ai thotë se aksioni i fundit i xhandarmërisë serbe mund të shihet si ngritje e tensioneve nga ana e Beogradit në raport me qeverinë e Kosovës. Sipas zotit Halimi, nëse Serbia vazhdon me një praktikë të tillë të dhunës ndaj shqiptarëve, si dhe ndërhyrjes në Kosovën Veriore, ekziston rreziku për ndarje në baza etnike që mund të çonte në ndryshimin e kufijve. Autoritetet e Serbisë kanë shpallur në kërkim edhe të shtatë persona tjerë që, sipas tyre, kanë qenë të përfshirë në të ashtuquajturin “Grupi i Gjilanit”. Ndërsa Përfaqësues të subjekteve politike shqiptare kanë akuzuar Ministrin e Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiç, për ndjekjen e politikës së ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviç për pastrim etnik të shqiptarëve.

Sfida e Kosovës

“Gjendja e brishtë në pjesën veriore të Kosovës ka qenë dhe mbetet sfida kryesore e sigurisë në Kosovë”, tha Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti. Ai fajëson mosfunksionimin e pikave doganore 1 dhe 31 në kufi me Serbinë, për ndikimin në rritjen e kontrabandës dhe krimit të organizuar. “Pjesa veriore e vendit dhe situata delikate e sigurisë që është atje, ka qenë dhe mbetet sfidë për Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kanë qenë sfida edhe aktivitetet e ndryshme të grupeve të ndryshme të njerëzve në pikat kufitare, me tendencë të krijimit të incidenteve në vend”, tha Pajaziti. Ai tha se autoritetet kosovare janë treguar të kujdesshme edhe në lidhje me refuzimin e policëve serbë që të punojnë në kuadër të Policisë së Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë, ndërkohë që Ministria vazhdon t’i ftojë ata që të kthehen në vendet e tyre të punës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›