E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bilardo, Maradonës: Të marr me shkelma

Argjentina Menaxheri i përfaqësueses reagon pas deklaratave të ish-trajnerit “albiceleste”

Tradhtar. është ky epiteti që Diego Armando Maradona i ka vendosur ish-bashkëpunëtorit të tij, Karlos Bilardo. Ndërkohë, ky i fundit nuk qëndron në heshtje dhe deklaron se ndihet i ofenduar. “Mbase shumë njerëz mendojnë se jam i mangët që qëndrova në heshtje deri më tani, duke i injoruar fjalët e Diegos. Megjithatë, ka ardhur koha që edhe unë të jap versionin tim të fakteve dhe ka mjaft gjëra për të cilat mund të flas”, theksoi Bilardo. “Nuk tërhiqem. Nëse Maradona ka vendosur të më marrë me shkelma në të ndenjura, atëherë edhe unë do të bëj të njëjtën gjë me të. Jam kampion dhe nënkampion bote: nuk isha unë që kisha nevojë për Diegon, por ai për mua. Këtë fakt duhet ta fiksojë në mendje. Ankohet sepse donin t’i ndryshonin disa asistentë, por askush nuk tha gjë kur shkarkuan nga detyra 11 persona shumë të besueshëm të mitë. Federata argjentinase është një institucion serioz dhe Maradona nuk mund të pretendojë që të ketë pas vetes të gjithë shokët e tij dhe të punojë me ta. Kam qenë i pari që i thashë Grondonës se Diego duhej të punonte edhe 4 vjet. Do të më pëlqente të kuptoja se ku qëndron tradhtia. Megjithatë, ai nuk ka asnjë faj, problemi kryesor është se lejon të ndikohet nga krimbat që e rrethojnë”. Fjalia e fundit është mjaft e rëndë, dhe Bilardo e përqendron edhe më tepër sulmin e tij, duke shtuar: “Personalisht nuk jam dorëzuar përballë presionit të menaxherëve, duke grumbulluar në skuadër lojtarë të caktuar në këmbim të parave”.
Të gjitha këto deklarata duhej të ishin “garnitura” e një konference për shtyp, që më pas u anulua. Vendimi duket se është marrë nga presidenti Grondona, edhe pse ai e mohon të ketë ndikuar.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›