E Diel, 1 Nëntor 2026

Strohal: Do të monitorojmë vendimet e KQZ-së

13/04/2005  ODIHR kërkon paanshmëri nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

ODIHR do të monitorojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve gjatë procesit të vendimmarrjes së këtij institucioni në përgatitjen e procesit zgjedhor. Kërkesa e bërë nga kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ka marrë përgjigje pozitive nga drejtori i ODIHR, Christian Strohal, gjatë një takimi me anëtarët e institucionit më të lartë zgjedhor në Shqipëri. Strohal ka zhvilluar dje takime me Presidentin e Republikës, Alfred Moisiu, me Kryeministri Fatos Nano si dhe me Kryetarin e Kuvendit, Servet Pëllumbi. Në të gjitha takimet kreu i ODIHR-it ka kërkuar nga faktori politik në vend maturi dhe angazhim për të zhvilluar një proces zgjedhor konform standardeve, për t'i hapur dritën jeshile Shqipërisë në proceset integruese në strukturat evropiane. Sot pritet që kreu i ODIHR të zhvillojë takime dhe me përfaqësues të partive politike në vend.

Misioni

ODIHR-së do të sjellë së shpejti një mision vëzhgimi për të monitoruar të gjithë procesin zgjedhor në të gjitha aspektet e tij, që nga dita e zgjedhjeve dhe në periudhën pasuese. Ky mision do të kërkojë një mbështetje nga i gjithë faktori dhe partnerët në Shqipëri. Megjithatë, vetëm pasi të rishikohet problematika në zgjedhje do të vendoset për shtimin e numrit të vëzhguesve me rreth 500 të tillë nga OSBE/ODIHR. Një problem shqetësues për kreun e ODIHR-it ka qenë lista e zgjedhësve, problem që sipas kreut të ODIHR po absorvohet me kalimin e kohës. Sipas Strohal, “votuesit shqiptar i është dhënë mundësia për të kontrolluar listat e zgjedhësve. Kjo për të verfikuar nëse janë të rregullta apo të pasakta. Ato do të mund të korrigjohen dhe plotësohen në kohë për zgjedhjet”.

Kërkesa

Keru i ODIHR-it mësohet t'i ketë kërkuar anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të jenë sa më objektiv në vendimmarrjen e tyre si dhe të distancohen nga ndikimi i partive politike në punën e tyre. Në konferencën e dhënë për shtyp, Strohal tha se “rëndësia e procesit zgjedhor varet nga bashkëpunimi mes partive politike mes qeverisë dhe administratës së zgjedhjeve. Që procesi të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare, roli dhe përgjegjësia e partive politike në lidhje me zgjedhjet duhet të jetë shumë e madhe”.

Data

Debatin mbi datën e zgjedhjeve, ai e ka cilësuar si çështje të parëndësishme për misionin që drejton. Sipas tij, “nuk i takon ODIHR-it që të vendosë për këtë datë, kjo është një zgjidhje që duhet të dalë nga forcat politike në Shqipëri. Ne mund t'ju sigurojmë se kurdo që do të jetë data e zgjedhjeve, misioni ynë i vëzhgimit do të jetë i gatshëm për të realizuar objektivat e tij”. Strohal nuk ka dashur deklarohet për problemet që kanë dalë për përgatitjen e zgjedhjeve, por i sugjeron faktorit politik shqiptar vetëm zgjidhjet.

Rezultati i zgjedhjeve të njihet si nga humbësit dhe nga fituesit

Saltzman: Nuk do përsëriten gabimet e vitit 2001

Përfaqësuesi i delegacionit të Këshillit Evropian në Shqipëri, Lutz Saltzman është shprehur optimist për zhvillim e zgjedhjeve të përgjithëshme në Shqipëri konform standardeve. Zgjedhjet e kësaj vere tashmë janë cilësuar dhe shanci i Shqipërisë për të filluar ose jo procesin e nënshkrimit të marrëveshjes së asociim-stabilizimit. Paraprakisht Saltzman nuk preferon të shprehet, lidhur me atë se çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve, në rast se këto nuk do të plotësojnë kushtet e vendosura nga ndërkombëtarët. Sipas tij, “në një shtet demokratik rezultati i zgjedhjeve njihet si nga fituesit, ashtu edhe nga humbësit”. Pavarësisht klimës politike tejet të tensionuar, si dhe problemeve të shënuara nga zgjedhjet e mëparshme në Shqipëri, shefi i Bashkimit Evropian, Saltzman, tha se “në zgjedhjet e përgjithshme të kësaj vere nuk mund të shfaqen sërish problemet e hasura gjatë procesit zgjedhor të vitit 2001. Në këto zgjedhje do të ketë një impakt pozitiv prej ndryshimeve që janë bërë në kodin zgjedhor”. Gjithashtu përfaqësuesi i BE-së ka theksuar se një rol vendimtar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Shqipëri ka faktori politik dhe angazhimi i qeverisë. Ai tha se “vullneti i të gjithë forcave politike dhe angazhimi i qeverisë flet për rëndësinë e standardeve në këto zgjedhje”, duke kërkuar nga të gjithë aktorët e përfshirë në proces që të respektojnë rezultatet e zgjedhjeve. Ndërkohë që do të jenë raportet e Bashkimit Evropian dhe të organizmave të tjerë që veprojnë në Shqipëri, të cilat do të përcaktojë dhe vazhdimin e mëtejshëm të negociatave për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.

Fatos NANO

“Shqipëria ka përmbushur me konsensus të gjerë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet, përfshirë amendimin e Kodit Elektoral, riorganizimin e KQZ, ligjin për ndarjen e re të zonave zgjedhore, ligjin për verifikimin dhe regjistrimin e shtetasve për t'i shërbyer kështu një klime të favorshme për ecurinë e procesit”

Alfred MOISIU

"Zgjedhjet e përgjithshme do të zhvillohen në Shqipëri e për Shqipërinë dhe prandaj janë vetë shqiptarët në pararojë për zgjidhjen e problemeve që lidhen me to. Ky proces do të jetë një proces i lirë, i drejtë e i ndershëm zgjedhor”. Kreu i shtetit e ka cilësuar si tejet të rëndësishme misionet vëzhgues për këto zgjedhje"

Servet PËLLUMBI

"Zgjedhjet në Shqipëri në vetvete janë një test shumë i rëndësishëm për ne, të cilin duhet ta kapërcejmë me sukses, sepse nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme fitojmë të gjithë ne, fiton Shqipëria. Ka rëndësi edhe për elektoratin shqiptar që standardet demokratike të jenë tregusi i pjekurisë së demokracisë së një partie"

Ilirian CELIBASHI

"KQZ-ja ka vullnet maksimal për të respektuar ligjin dhe asnjëherë nuk kemi shprehur rezerva për ta zbatuar atë, Kushtetutën dhe aktet nënligjore, që sjellin standarde në proces. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të jetë trasparentë me publikun dhe me çdo faktor që do të monitorojë procesin zgjedhor"

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›