Policia mbledh 70 armë në Laprakë
13/04/2005 TIRANË - Policia e Tiranës mbledh 70 armë në Laprakë. Në një njoftim zyrtar të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, thuhet se gjatë një aksioni të detajuar e të komanduar nga krerët e bluve të kryeqytetit prej të paktën një viti, janë mbledhur mijëra armë. Gjithashtu mësohet se nga armatimi i mbledhur, 30 prej tyre ishin automatikë, 37 pushkë, 3 pistoleta dhe 15000 municione këmbësorie. Grumbullimi i armëve mundësohet edhe nga ndihmat e njëpasnjëshme të PNUD-it, i cili organizon takime me komunitetin për të sensibilizuar popullatën në dorëzimin vullnetar të tyre. Një faktor i rëndësishëm i grumbullimit të armëve, ka qenë edhe Drejtoria e Arsimit, e cila ka vënë në punë nxënësit e shkollave në sensibilizimin e popullatës. Mjafton të përmendet fakti që në një ditë të vetme matura e shkollës së mesme "Myslym Keta" i dorëzoi policëve rreth 40 armë, një numër ky që për ta ishte dashur një muaj për t'u grumbulluar. Edhe pse janë bërë tentativa në afrimin e policëve me njerëzit, duket se reagimi i uniformave blu në komunikim lë jo pak, por shumë për të dëshiruar. Drejtoria e Policisë së Tiranës ka dhënë disa statistika për këtë 3-mujor, ku thuhet se "Drejtoria e Policisë e Qarkut Tiranë ka ndjekur më përparësi masat për grumbullimin e armëve dhe municioneve luftarake, duke grumbulluar 527 armë dhe 38500 municione të ndryshme dhe krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit 2004, ku janë mbledhur 220 armë të ndryshme, del se sasia e armëve të grumbulluara për vitin 2005 është rritur në 2.4 herë". Megjithatë, organizatat joqeveritare kanë deklaruar se shqiptarët nuk kanë dorëzuar ende 10% të armëve që kanë në duar.