E Diel, 1 Nëntor 2026

"Bilbilë" rusë dhe austriakë për shqiptaret në Europë

Tri skuadrat shqiptare që kanë mbetur në kupat e Europës (pas eliminimit të Dinamos nga finlandezët e Lahtit) kanë njohur gjyqtarët për ndeshjet e mesjavës. Ndeshja e së mërkurës, ku Tirana debuton në Champions kundër norvegjezëve të Stabaek, do të drejtohet nga "bilbili" austriak Robert Shorgenhofer. Ky arbitër nuk është i panjohur për shqiptarët: në fakt, në shtator 2008 ai drejtoi ndeshjen ku Shqipëria fitoi 3-0 me Maltën, të vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2010. Ajo ishte sfida e parë që 36-vjeçari ka drejtuar në nivel kombëtaresh. Shorgenhofer mban stemën e FIFA-s që prej vitit 2007. UEFA ka përzgjedhur një tjetër gjyqtar austriak edhe për ndeshjen e së enjtes, ndërmjet Flamurtarit dhe Matheruellit në Europa League. Bëhet fjalë për Fritz Stuklik: 43-vjeçari arbitron në Bundesligën austriake që prej vitit 1992. Stuklik regjistron 82 ndeshje ndërkombëtare dhe 259 takime në kampionatin elitar të vendit të tij. Ai ka rimarrë stemën e FIFA-s në vitin 2009, ndërsa ka qenë protagonist edhe në sfidën Matersburg-Kapfenberger (3:1): takimi zgjati 106 minuta, ndërsa gjyqtari dha 13 kartonë të verdhë dhe një të kuq. Ndërsa gjyqtari i Vllaznisë në Vjenë, për ndeshjen me Rapidin, është rusi Vladislav Besborodov.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›