E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidenti në Ohër, Shkupi propozon komision të përbashkët



Pas incidentit të ndodhur në Ohër, ku u sulmuan turistët grekë, ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Ministria e Jashtme e Maqedonisë hodhi poshtë deklaratat e homologes greke, e cila e cilësonte incidentin si “rezultat i dukshëm i nacionalizmit dhe mostolerancës ndaj Greqisë, të cilat prej disa kohësh në mënyrë të vetëdijshme ndërtohen në Shkup”. “Vlerësojmë se reagimi grek është përfundimisht jopërkatës dhe shumë i theksuar dhe apelojmë që ky incident të mos keqpërdoret në kontekst të politikës ditore”, - bëhet e ditur në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Jashtme greke. Më tej, në këtë njoftim propozohet formimi i një komisioni të përzier maqedonas-grek, të përbërë nga organet kompetente për siguri dhe transport i të dy shteteve, të cilët bashkë dhe me bashkëpunim të afërt duhet të parandalojnë dhe të zgjidhin incidente të tilla dhe të ngjashme në të ardhmen. “Shpresojmë që ky propozim të hasë në pranim pozitiv nga pala greke”, - theksohet në njoftimin për shtyp të Ministrisë maqedonase.

Serbët e Bosnjes ngrenë padi kundër OKB-së dhe Holandës

Një grup serbësh të Bosnjës kanë ngritur padi ndaj Kombeve të Bashkuara dhe Holandës, duke thënë se paqeruajtësit holandezë nuk i mbrojtën serbët pranë Srebrenicës. Organizata e quajtur Projekti Historik i Srebrenicës tha se e kishte dërguar padinë javën e kaluar në një gjykatë të Hagës. Ajo tha se nuk synon t’i minimizojë vrasjet e myslimanëve të Srebrenicës në vitin 1995, duke i quajtur ato një masakër të tmerrshme. Por organizata thotë se dëshiron të tregojë se tragjedia ishte shumëkombëshe dhe se viktima ishin edhe serbët. Grupi thotë se të paktën 1 mijë civilë serbë u vranë ose u zhdukën kur forcat serbe të Jugosllavisë hynë në territorin që duhet të ishte një zonë e sigurt e OKB-së nën mbrojtjen e ushtarëve holandezë. Tetë mijë burra dhe djem myslimanë u ekzetuan. Edhe myslimanët e Bosnjës kanë ngritur padi në Hagë.

Pas 43 vjetësh, Franca do të rikthehet në NATO

Franca do të rikthehet pas 43 vjetësh në NATO si anëtare me të drejta të plota. Hapin e kthimit në Bashkësinë Transatlantike Franca do ta ndërmarrë me rastin e 60-vjetorit të NATO-s. Në vitin 1949, Franca ishte një nga anëtaret themeluese të NATO-s, madje edhe selia e aleancës ndodhej në Paris. Por presidenti Çarls de Gol, i shqetësuar për kompetencat e mëdha të SHBA-ve, në vitin 1966 u shkëput nga kjo strukturë ushtarake. Selia u zhvendos nga Parisi në Bruksel. Fundi i Luftës së Ftohtë krijoi një situatë krejt tjetër strategjike. Nga viti 2001 nisi të dalë gjithnjë e më shumë në plan të parë lufta kundër terrorizmit. Presidenti Nicolas Sarkozi tani mendon të relizojë kthimin në NATO. Por shumë francezë vazhdojnë të jenë skeptikë. Duke folur përpara oficerëve, Sarkozi theksoi një argument për politikën ndaj Europës: “Në Europë gati të gjithë partnerët tanë janë anëtarë të Aleancës. Ata nuk e kuptojnë përse ne vazhdojmë të qëndrojmë të mënjanuar”. Sarkozi kthimin në strukturën ushtarake nuk e konsideron më si dobësi, por si forcim të Francës, aq më tepër që mesa duket tani ai ka premtimin për poste të rëndësishme të francezëve në NATO.

5 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›