E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti shkakton kaos në lëvizjen e trageteve mes Shqipërisë dhe Italisë



Erërat e forta dhe reshjet e shiut kanë shkaktuar kaos në qarkullimin e trageteve dhe anijeve tregtare mes Shqipërisë dhe Italisë. Portet më të mëdha të vendit në Durrës dhe Vlorë e kanë bllokuar përkohësisht punën e tyre për shkak të motit. Në ujërat e Adriatikut në zonën e Vlorës dallgët kanë arritur 7-8 ballë ndërsa shpejtësia e erës llogaritet në 17-18 m/sek. Mësohet se 2 tragete të mbërritur dje në mëngjes nuk kanë mundur të ankorohen në port dhe kanë pritur qetësimin e fortunalit që ka përfshirë detin prej të dielës në mbrëmje. Për të parandaluar ngjarjet e rënda, mjetet lundruese të transportit kanë dalë në radë, ndërkohë që peshkarexhat janë strehuar në “Portin e Ri”, ku janë më të mbrojtura. Burimet e kapitenerisë konfirmuan se në kushte të tilla të motit, mjetet lundruese që ndodhen në rajon, në udhëtim për në destinacione të ndryshme, kërkojnë strehim në Gjirin e Vlorës, por që deri tani nuk është konfirmuar një rast i tillë.
Era e fortë ka përfshirë gjatë gjithë ditës së djeshme qytetin e Vlorës, duke dëmtuar dhe tabela në qytet. Moti i keq dhe reshjet e forta të shiut kanë pushtuar që prej orëve të para të ditës së djeshme edhe qytetin e Durrësit dhe gjirin detar pranë tij. Një pjesë e rrugëve dhe kryqëzimeve rrugore janë bllokuar nga uji, ndërsa në portin detar është ndërprerë përpunimi i anijeve tregtare. Burime zyrtare nga kapiteneria e portit bënë të ditur se, "në portin e Durrësit janë ankoruar dy tragete, që mbërritën në mëngjesin e së hënës nga portet e Barit dhe Triestes". Sipas të njëjtit burim, mësohet se përpunimi i anijeve tregtare në kalatat e portit është ndërprerë për shkak të shiut dhe të erës me shpejtësi deri në 14 metra në sekondë. Burimet thanë se era me drejtim nga juglindja dhe deti i trazuar me forcë 5-6 ballë do të vazhdojë.

25 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›