Bildt: Kosova ka shumë punë për të bërë

Këto deklarata kryediplomati suedez i bëri të martën pas një takimi që ka zhvilluar me kryeministrin Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, të cilët shprehen vendosmërinë për vënien e rendit dhe ligjit në veri.
Edhe pse Bildt vlerësoi se kanë ndodhur përmirësime këto vitet e fundit, sipas tij Kosova ende ka shumë punë për të bërë, sidomos në fushën ekonomike.
“Gjërat janë përmirësuar gjatë dy tri viteve të fundit, por shumëçka mbetet për t’u bërë. Papunësia është tejet e lartë, deficiti tregtar është shumë i lartë dhe duhet bërë shumë për ta përmirësuar qëndrueshmërinë e ekonomisë së Kosovës në vitet e ardhshme”, ka thënë ai.
Kryediplomati suedez, i cili ka qenë edhe njëri ndër kritikët më të mëdhenj të aksionit të qeverisë në veri, tha se problemi i veriut nuk mund të zgjidhet për një kohë të shkurtër, por sipas tij zgjidhja do të marrë kohë më të gjatë.
Bildt konsideron se Prishtina zgjidhjen për veriun duhet ta sigurojë edhe me mbështetjen e qytetarëve të veriut, edhe pse pohon që një gjë e tillë nuk është aspak e lehtë.
“Kjo s’do të jetë e lehtë, por nuk ka rrugë tjetër. Vetëm kur qytetarët e veriut do të pranojnë se janë pjesë e Kosovës, atëherë do të jetë e mundshme që veriu të integrohet. Kjo nuk do të ndodh nesër, por kjo perspektivë duhet të ekzistojë. Këtë askush tjetër s’mund ta bëjë, jeni ju ata që mund ta bëni. Kjo mund të bëhet vetëm nga Prishtina dhe as nga BE dhe as nga NATO”, tha ai.
Ndërkaq ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ja falënderuar ministrin Bildt për mbështetjen që vendi i tij i ka dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj. Hoxhaj tha se Kosova ka mbi 40 mijë qytetarë të Kosovës, të cilët janë të integruar fuqishëm në jetën politike dhe ekonomike të Suedisë .
“Suedia ka mbështetur Kosovën në themelet e saj, që nga përfundimi i luftës, përmes pjesëmarrjes së saj në kuadër të trupave të KFOR-it dhe EULEX-it. Këto janë dy argumente të fuqishme të relacioneve, shumë të veçanta që ka Republika e Kosovës dhe Suedisë. Marrëdhëniet mes vendeve tona janë të shkëlqyera”, tha Hoxhaj.
Lidhur me situatën në veri të vendit, Hoxhaj ka shprehur vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për vënien e rendit dhe ligjit dhe moslejimin e vendosjes së një status qouje atje.
Qasja jonë është se nuk ka kthim në status quo, nuk ka kthim para 25 korrikut. Jemi kundër krijimit të ndonjë situate të një konflikti të ngrirë dhe jemi pajtuar që ndryshimi i kufijve në Ballkan është temë e mbyllur”, theksoi Hoxhaj.
Ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë Carl Bild viziton për të dytën herë Kosovën që nga shpallja e pavarësisë./kp/