E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bildt: “Kosova mund të bëhet anëtare e BE-së pa qenë anëtare e OKB-së”

“Kosova mund të bëhet anëtare e Bashkimit Europian edhe pa qenë anëtare e OKB-së, ashtu si vendet e tjera evropiane”, - është shprehur ministri i Jashtëm suedez, Karl Bildt, në përfundim të vizitës së tij në Kosovë. “Edhe Zvicra ka aplikuar të bëhet anëtare e BE-së para OKB-së. E njëjta gjë vlen edhe për Kosovën”, - tha Bildt. Ai ka shtuar se pas shpalljes së pavarësisë sfidat për kosovarët do të jenë të mëdha, sidomos në ndërtimin e shtetit, dhe kjo do të marrë kohë. Sipas tij, prioritet i Kosovës duhet të jetë anëtarësimi në organizatat financiare ndërkombëtare siç janë Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, pastaj duhet shikuar anëtarësimin e saj në agjenci të ndryshme funksionale të OKB-së. “Kosovarët duhet të fokusohen në konferencën e donatorëve, përmes së cilës nuk do të vendoset e ardhmja e Kosovës, por do të jetë përpjekje e autoriteteve kosovare për të krijuar kushte më të mira të zhvillimit ekonomik”, - tha shefi i diplomacisë suedeze, Karl Bilt. Ai ka shtuar se procesi i transferimit të kompetencave nga misioni i UNMIK-ut tek autoritetet kosovare është i natyrshëm dhe funksional. Sipas tij, misioni i UNMIK-ut në Kosovë bazohet në Rezolutën 1244 dhe vlen për të gjithë në Kosovë, ndërkaq EULEX ka mandat veprimi të limituar, i orientuar në mbikëqyrjen e rendit, ligjit, doganave dhe policisë. Bildt ka shtuar se shumica e kompetencave të UNMIK-ut do të transferohen tek autoritetet kosovare. Ministri i Jashtëm i Suedisë, gjatë vizitës në Mitrovicë, tha se procesi i integrimit të këtij qyteti është i vështirë. Ai theksoi nevojën e promovimit të projekteve të reja për ndërtimin e mirëbesimit të komuniteteve si dhe zhvillimin ekonomik të qytetit. Kjo, sipas tij, është e rëndësishme jo vetëm për të ardhmen e Kosovës, por edhe të gjithë rajonit.

11 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›