Nëna vrasëse u jep lamtumirën e fundit dy djemve
Morti
Liljana Mulliri mëson vdekjen e djalit të vogël pas ceremonisë mortore
Morti është ulur këmbëkryq në familjen Mulliri. Ndërsa kanë qenë gati për ceremoninë mortore të dy djemve, babai i tyre, Xhevahiri, ende ka pasur shpresë se djali i vogël 18-vjeçar Edlevani, të mbijetonte. Por pa afruar mirë ora e caktuar për varrimin e Taulantit dhe Xhiljanit, babai i tyre ka mësuar lajmin e kobshëm. Edlevani kishte ndërruar jetë në spitalin e kryeqytetit, ku u transportua me helikopter. Ndërkaq familjarët kanë pritur mbërritjen e nënës së tyre, Liljanës, e cila është dënuar me 25 vjet burg për vrasjen e një fëmije 7-vjeçar. Ajo nuk e ka ditur se krahas dy arkivoleve që do të gjente në shtëpi me dy djemtë e saj, do të mësonte edhe për humbjen e djalit të vogël. Me një leje të siguruar dhe e shoqëruar nga forca policore të Drejtorisë së Burgjeve, nëna e viktimave Liljana, ka mbërritur rreth orës 13:30 në fshat. Ceremonia mortore e caktuar në orën 12:00 është shtyrë për të pritur mbërritjen e nënës së viktimave. Të afërmit, edhe pse kishin deklaruar se nuk do ta pranonin Liljanën për krimin makabër që kishte kryer, kanë vendosur ta pranojnë gruan vrasëse për t’i dhënë lamtumirën e fundit fëmijëve të saj. “Do ta pranoj dhe po pres që të vijë. Nuk ka lidhje ajo që ka bërë Liljana me këtë tragjedi që ka ndodhur sot. Ajo është nënë dhe ka drejtë t’i shikojë fëmijët para se t’i fusë në varr. Si nënë, pranoj që t’i japë lamtumirën djemve të vdekur”, ka thënë Xhevahiri në pritje të Liljanës. Të afërmit nuk kanë nxituar t’i varrosin dy djemtë, por të presin nënën e tyre pavarësisht nga vonesa e madhe për shkak të terrenit tepër të vështirë malor dhe me dëborë. Sapo ka zbritur Liljana Mulliri është rrethuar nga të motrat, të cilat janë munduar ta mbajnë teksa ajo kishte vënë kujën për dy djemtë e saj të vdekur. Të afërmit kanë pritur derisa të përfundojë ceremonia mortore që t’i japin lajmin e hidhur, se dhe djali i vogël, nuk ka mundur të mbijetojë pas tetë plagëve që kishte marrë në trup. Ai do të prehet sot, pranë dy vëllezërve Taulantit dhe Xhiljanit, të cilët u vranë nga e njëjta dorë hakmarrëse.
#