E Diel, 1 Nëntor 2026

Bildt: Rekomandimi për vizat, sa më shpejt

Presidenca suedeze e Bashkimit Europian, që fillon mandatin më 1 korrik deri më 31 dhjetor, ka si prioritet Ballkanin Perëndimor. Këtë lajm e bëri të ditur dje në një komunikim prezantues me median ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt. Sipas tij, gjërat do të vihen në lëvizje me të marrë propozimin e Komisionit Europian, që pritet dikur në muajin korrik, për përfshirjen në Shengenin e bardhë të vendeve që i kanë plotësuar kushtet. "Ne shpresojmë të marrim rekomandimin nga komisioni sa më shpejt. Nuk e di kur ekzaktësisht, por sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe në atë moment do të kërkojmë që të veprohet shpejt me këtë çështje", shtoi ai. Presidenca suedeze e BE-së përmban në programin e saj gjashtëmujor prioritete si lufta ndaj ndryshimeve klimatike dhe ajo kundër krizës ekonomike, vazhdimi i zgjerimit, programi i Stokholmit për një Europë më të sigurt e më të hapur etj. Një prej avantazheve të kësaj presidence, në krahasim me paraardhësen çeke, është se veçanërisht ministri i Jashtëm Carl Bildt është ndër kolegët e tij, një prej njohësve më të mirë të rajonit të Ballkanit. Po sipas asaj çka u bë publike dje, Bashkimi Europian nuk do të implikohet në problemin e çështjes së emrit të Maqedonisë, por do të presë raportin e vjeshtës së Komisionit Europian për të parë sa janë plotësuar kushtet për çeljen e negociatave dhe do të përpiqet të veprojë shpejt me çështjen e liberalizimit të vizave për vendet që e meritojnë. Prezantimi i programit u bë në Bruksel nga dy ministra, Cecilia Malmström, për Çështjet Europiane, dhe Carl Bildt, për Punët e Jashtme. Në lidhje me problemet dypalëshe, pasi kishte shpjeguar se BE-ja ka hequr dorë edhe nga përfshirja për zgjidhjen e konfliktit Kroaci-Slloveni, Bildt theksoi të njëjtën politikë edhe në lidhje me konfliktin Greqi-Maqedoni.

"Unë dua të theksoj se përgjegjësia për të zgjidhur çështje dypalëshe ka të bëjë fillimisht me vendet e përfshira. Ju nuk mund të prisni që çështjet tuaja dypalëshe t‘i zgjidhë bota. Jeni ju që duhet t‘i zgjidhni vetë ato. Dhe sigurisht që mënyra se si do t‘i zgjidhni do të jetë shumë e rëndësishme për aftësinë e përparimit në marrëdhëniet rajonale dhe në axhendën europiane. Por ne nuk mund të imponojmë zgjidhje mbi askënd. As e kemi ndërmend dhe as mundemi", deklaroi Carl Bildt, ministër i Jashtëm i Suedisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›