E Diel, 1 Nëntor 2026

Nano takon Metën: Berisha erdhi aksidentalisht, ndjesë për 2005

Plot katër vjet nga humbja në 2005-ën, ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, i mbetet mendimit se kundërshtari i tij i atëhershëm, Sali Berisha, erdhi aksidentalisht në pushtet, për shkak të përçarjes së të majtës. Por sot, në prag të një sfide tjetër me rëndësi për këtë formacion politik, Nano kërkoi ndjesë publike për humbjen në zgjedhjet e 3 korrikut, si një shenjë pajtimi mes tij, Metës dhe elektoratit të majtë. Ai u shfaq krah kreut të LSI-së, duke iu përgjigjur pozitivisht ftesës së tij për takim, tryezë së cilës iu bashkëngjit edhe kreu i PSV91, Petro Koçi. Pas një takimi kokë më kokë, Meta, Nano e Koçi konkluduan se është i nevojshëm bashkimi i së majtës për të mbrojtur votën e 28 qershorit, për të ndërprerë diversionet mes partive, si dhe për të dhënë mesazhin e bashkimit tek elektorati i majtë. Pjesa tjetër e të ftuarve, Rama, Pëllumbi, Meidani, Milo e Gjinushi refuzuan të ishin të pranishëm, duke mos ndarë të njëjtin qëndrim me idenë e Metës. Megjithëse mungesa e tyre nuk kaloi pa insinuata nga ana e Metës dhe Nanos. Ish-kryesocialisti Fatos Nano, i pyetur nëse vijon t‘i mbetet qëndrimit se Berisha erdhi aksidentalisht në pushtet, tha se takimi i djeshëm ishte një ndjesë. "Të jem i sinqertë nuk vuaj nga amnezia politike dhe nuk rreshtohem dot në asnjë front politik fringo, modern, të ri apo të paparë, që do të fshinte kujtesën e të gjithë historisë së të majtës europianiste dhe progresiste në Shqipëri. Më lejoni t‘ju them që midis dy ndjesave, asaj për 18 vjet demokraci, zhvillim drejt Europës të Shqipërisë dhe kësaj të dytës, preferoj të dytën, këtë që thatë ju", u shpreh Nano. Sipas tij, nuk mund t‘u përgjigjesh këtyre iniciativave të tilla në mënyrë foshnjarake, në qoftë se je politikan i përgjegjshëm. Më tej, Nano theksoi se gjatë gjithë kësaj kohe, edhe pse jo pjesë e fushatës në përballje, ka pasur takime me socialistët, madje ai shtoi se vjen në këtë takim në emër të tyre. "Mesazhi shqetësues që vjen nga të katër anët e territorit të Shqipërisë është pikërisht mbështetja dhe çuarja përpara e kësaj lloj fryme dhe bashkëpunimi midis liderëve të së majtës. Unë jam këtu edhe në emër të socialistëve dhe shpresoj se liderët e radhës do të kuptojnë përpara dhe pas 28 qershorit se nuk mund të ndërtohet një karrierë me përçarje, nuk mund të ndërtohet asnjë e mirë e vendit në gjendjen e foshnjërisë së sotme politike", deklaroi Nano. Ndërsa kreu i LSI-së, Ilir Meta, referuar mungesës së të ftuarve të tij në këtë takim, vërejti se ftesa vijon të mbetet e hapur jo vetëm deri më 28 qershor, por edhe pas këtyre zgjedhjeve për të garantuar bashkëqeverisjen e së majtës. "Bashkëpunimi dhe koordinimi për mbrojtjen e standardeve të zgjedhjeve të 28 qershorit është më se i domosdoshëm dhe në këtë drejtim unë u bëj apel të gjitha strukturave të LSI-së e të PS-së dhe të gjithë forcave të tjera opozitare të koordinojnë në bazë, të koordinojnë në komisionet e qendrave të votimit, të qendrave të numërimit, që të mbrohen në mënyrë sa më efikase standardet e zgjedhjeve të 28 qershorit", tha ai.

Meta iu përgjigj deklaratës së Ramës për domosdoshmërinë e largimit të Berishës nga pushteti. Ai tha se është i pari që ka kërkuar largimin e tij pas tragjedisë së Gërdecit. Kreu i PSV91 Petro Koçi ndau të njëjtin qëndrim me Nanon dhe Metën se bashkimi mbetet domosdoshmëri kundër Berishës për ta nxjerrë përfundimisht atë në pension. "Mendoj se objektivi i vendit për një qeverisje ndryshe dhe objektivi i gjithë socialistëve, nxjerrja e Sali Berishës në mënyrë përfundimtare në pension, kërkon patjetër jo vetëm një reagim të përgjegjshëm, por edhe aktiv në ndërprerjen e mesazheve përçarëse dhe përjashtuese dhe në ndërtimin e një fushate përbashkuese", tha ai. Të ftuar të këtij takimi ishin: kreu i PS-së, Rama, i cili u përgjigj se Meta duhet të bashkohet me PS-në që të kontribuojë për fitoren, Servet Pëllumbi dhe Rexhep Meidani, të cilët refuzuan ftesën, si dhe Milo e Gjinushi. Pas takimit, Nano, Meta e Koçi, të shoqëruar nga mbështetës, u zhvendosën në ambiente private për të pirë së bashku një kafe.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›