E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko: Pas reformës, opozita do të bashkohet

 

Ish-Kryeministri vlerëson si domosdoshmëri, bashkëpunimin midis partive opozitare

 

Ish-kryeministri Pandeli Majko e vlerëson si të domosdoshme arritjen e një bashkëpunimi ndër-opozitar përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Nisur nga përvoja e hidhur e zgjedhjeve të vitit 2005, deputetit socialist e konsideron bashkëpunimin opozitar si një nga elementët e nevojshëm për të garantuar një fitore të sigurt të së majtës. Sipas tij, pavarësisht debateve të momentit në lidhje me reformën zgjedhore partitë e majta duhet t'i kthehen frymës së bashkëpunimit, jo vetëm për të rritur forcën e luftës opozitare ndaj qeverisjes së djathtë, por edhe për të bërë të mundur futjen në zgjedhje me një garanci më shumë për fitoren e tyre. Ai shpreh besim se, në marrëdhëniet midis koalicionit të majtë do të ketë zhvillime pozitive në drejtim të bashkëpunimit. "Nga 2005 ne kemi një përvojë jo shumë pozitive nga mënyra se si dolën nga zgjedhjet, të ndarë. Gjithçka do të jetë e vlerësuar pas vendimmarrjes së të gjithë politikës shqiptare në Parlament, përsa i përket ndryshimeve kushtetuese, tanimë të depozituara në Parlament. Mendoj që do të kemi evolucione, të cilave vështirë se do t'ua ndjesh ritmin që në fillim fare. Ajo që tani për tani mund të diskutohet në parim është që bashkë gjithmonë, është më mirë sesa të ndarë",- u shpreh Majko. Për të arritur këtë qëllim, ish-Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, i ka bërë thirrje partive të opozitës, dhe kryesisht atyre të voglave, që të lënë mënjanë mëritë për çështje të politikës së ditës dhe të kontribuojnë në largimin e kësaj qeverisjeje dhe kthimin e opozitës në pushtet në vitin 2009. Duke komentuar marrëdhëniet brenda kampit të majtë, Majko ka theksuar se partitë e vogla të majta, ndryshe nga ato të spektrit të djathtë, kanë një sjellje krejt të lirë në raport me partinë lider të koalicionit, kjo edhe për shkak të marrëdhënieve që përfaqësuesit e këtij spektri kanë vendosur me njëri-tjetrin. "Marrëdhëniet brenda të majtës, janë ndryshe nga ato brenda së djathtës, kjo edhe përsa i përket asaj se brenda së majtës, zërat e lirë apo partitë që kanë një karizëm goxha të fortë në vetvete, janë shumë herë më domethënëse sesa brenda gjirit të së djathtës, pa dashur të fyej kërrkënd këtu. Domethënë, jo çdo gjë brenda së majtës zhvillohet sipas parimit rreshtor që ndiqet tek kampi i djathtë tani",- u shpreh Majko. Thirrje për bashkim ka bërë dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, menjëherë pas deklaratës së largimit nga koalicioni i majtë i LSI-së.

Gjinushi: Jo bashkëpunimit me Berishën kryeministër

Ndryshe nga sa u shpreh Partia Socialiste disa ditë më parë, në lidhje me mbështetjen e PSD-së për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, socialdemokratët shprehen kundra një bashkëpunimi me mazhorancën, për sa kohë kryeministër do të jetë Sali Berisha. Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi ka përjashtuar çdo mundësi për të votuar reformat e mëdha, përfshi këtu edhe atë zgjedhore, në rast se mazhoranca e djathtë do të vazhdojë të drejtohet nga Berisha. "Nuk bashkëpunojmë me këtë shumicë, për sa kohë që është e kontrolluar nga Sali Berisha për të bërë pseudo reforma, sepse ai çdo gjë do e degradojë. Kush mendon ende që me Berishën mund të bëhen reforma, vetëm gënjen veten dhe do ketë fatin e zgjedhjeve lokale",- tha Gjinushi. Sipas tij, ajo që duhet të bëjë opozita tashmë është largimi i Berishës, si njeriu që është kthyer jo vetëm në varfërues të shqiptarëve, por edhe në një rrezik për jetën e tyre. "Me këtë Kryeministër nuk bëhen reforma. Ne duhet të këmbëngulim që ai të largohet, pasi tragjedia e Gërdecit tregoi qartë se korrupsioni i tij ka arritur të kthehet në një rrezik për të gjithë ne",- u shpreh Gjinushi. Me këtë qëndrim të bërë publik dje nga PSD, nuk dihet ende nëse PS dhe PD do t'i kenë 93 votat e duhura në Kuvend për miratimin e amendamenteve kushtetuese. Bashkëkryetari socialist i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Kastriot Islami, në një dalje të tij publike para disa ditësh u shpreh se krahas votave të socialistëve dhe demokratëve, për miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë do votonin pro dhe deputetët socialdemokratë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›