E Diel, 1 Nëntor 2026

Blank: Respekoj Shqipërinë, por sot dua ta mund

Trajneri i “gjelave”, Loren Blank, shprehet i sigurt për forcën e skuadrës së tij dhe mohon zërat se brenda gjirit të lojtarëve ka pakënaqësi

Është hera e dytë që Loren Blank vjen në stadiumin “Qemal Stafa”. Herën e parë ishte vetëm 25 vjeç dhe luante si mbrojtës i lirë. Tani, 20 vjet më pas, Blank është 45 vjeç, është thinjur dhe mban syze. Megjithatë, nuk ka hequr dorë nga fanella blu. Tani është trajneri i “gjelave” dhe vjen në tokën kuqezi për të arritur një tjetër sukses, ndonëse fjalën “respekt” nuk e heq nga goja sa herë përmend kundështarin e tij.

Shqipëria, çfarë prisni prej saj?

Ne kemi shumë respekt për ekipin shqiptar. Është një pozicion që mund të kualifikohet për në Euro. Unë e di që ka fituar ndeshje në shtëpi dhe kjo na bën që të kemi respekt, si për të gjitha ekipet.

Synoni vetëm fitoren?

Nga përgatitjet që bëjmë, kërkojmë të marrim gjithnjë fitoret, qoftë Shqipëria, qoftë ndonjë ekip tjetër. Të flasësh për ndeshjet, është gjëja më e lehtë. Por realisht është ndeshja ajo që tregon gjithçka.

A do të ishte barazimi një tërmet?

Do të varet nga sesi do të zhvillohet loja. Ka ndeshje që mbyllen barazim ku meriton të fitosh, por edhe ndeshje ku barazimi mund të quhet fat për ty sepse nuk ke bërë më të mirën për marrë fitoren.

Bjellorusia i ka marrë 4 pikë Francës, ndërsa me Shqipërinë ka ndarë tre pikë. A tregon kjo ekuilibrat në grup?

Bjellorusia na mori katër pikë nga gjashtë. Atje kemi mbyllur një ndeshje barazim, por meritonin më shumë. Ata merituan fitoren në Paris. Në grupin tonë kemi një humbje, një barazim dhe katër fitore. Realiteti është ky dhe na kanë mbetur katër ndeshje.

Mund ta deklaroni formcionin?

Kemi disa dyshime në lidhje me formacionin sepse kemi disa lojtarë të sëmurë apo të dëmtuar. Megjithatë sonte (dje) do të bëjmë një stërvitje me të gjithë grupin ku do të shohim nga afër gjendjen e tyre.

Mos ka vallë një çështje “Nasri” në kombëtaren e Francës?

Media franceze, ashtu si të gjitha mediat e tjera, kërkon probleme aty ku nuk ka. Gazetarët i adhurojnë këto situata. Por harmonia është e shkëlqyer.

Pas krizës së botërorit, çfarë note i vini ekipit aktual?

Nuk më intereson e shkuara, Kemi një ndeshje me Shqipërinë dhe kjo më intereson.

Para 20 vjetësh Franca ka fituar në Tiranë 1-0 dhë në Paris 5-0. Si e kujtoni atë kohë?

Kujtimet? Kemi vuajtur shumë në ndeshjen në Tiranë dhe golin e ka shënuar Boli.

Prisni të njëjtën shkallë vështirësie?

Ju e dini më mirë sesa unë. Ekipi shqiptar do t’i karikojë të gjitha bateritë për ndeshjen e nesërme (sotme). Ata do të luajnë me shumë zemër. Ju keni shumë ndeshje pa humbje dhe kjo do të thotë se skuadra shqiptare ka cilësi dhe në qoftëse cilësi do të vihen në fushë, atëherë do të jetë e vështirë

Meqë keni kaq respekt për Shqipërinë, cila është arma më e fortë e saj?

Një moment, unë thashë se kam respekt për Shqipërinë, por nesër (sot) dua ta mund. Cilësitë e ekipit shqiptar këto janë, shumë zemër dhe shumë shprit luftarak.

Trajneri: Tirana ka ndryshuar

Kërshërisë së mediave shqiptare nuk mund t’u shpëtonte një pyetje nga ato të pafajshmet, një krahasim mes Tiranës që ai ka parë në vitin 1991 dhe kësaj të sotmes. “Tirana ka ndryshuar shumë. Natyrisht që është bërë më e bukur,” është përgjigjut buzagaz trajneri i bluve

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›