Cana: Kemi diçka më shumë se ta, zemrën!
Mesfushori i Lacios bën analizën e tij për ndeshjen kundër Francës. Për të, “gjelat” janë të favorizuar, por kanë diçka më pak se kuqezinjtë, dëshirën për fitore
Mes kuqezinjve, është më popullori në Francë dhe jo vetëm sepse ka qenë kapiten i Olimpikut të Marsejës. Për Lorik Canën, sfida me Francën është speciale, pasi vendi i Hygoit e Balzakut është për të, në një farë mënyre, “atdheu i dytë”. Kjo pasi Loriku është formuar si lojtar pikërsisht në radhët e të rinjve të PSG-së, për të qenë më pas një nga elementët më me vlerë të Ligue 1. Gjithashtu, mesfushori potent është shprehur për mediat franceze se “Shqipëria e ka ëndërr kualifikimin. Kemi dhe katër ndeshje, dy ndaj Francës, një ndaj Luksemburgut e një ndaj Rumanisë. Dua t6 jem racional, ku ndaj Luksemburgut duhet të fitojmë patjetër dhe ndaj Rumanisë mendoj se kemi kualitetin për ta fituar ndeshjen. Është e realizueshme një gjashtë pikësh. Në lidhje me përballjet me Francën do të ishte një bunos që të merrnim pikë.” Ndërkohë, si një njohës i mirë i mjedisit francez, Loriku jep mendimin e tij në lidhje me situatën te “gjelat”. “Ata vijnë nga një zhgënjim nga Kupa e Botës, por që tani kanë filluar me një trajner të ri, ambient të ri dhe një politikë të re. Në bisedat që kam pasur më ta, kam mësuar se kanë shumë lojtarë cilësorë, që janë yje në klubet e tyre, luajnë në kampionatet më të mëdha, me klubet më të mëdha, kanë besim në forcat e tyre dhe janë në vendin e parë. Por janë nën presion. Ne duhet të bëjmë gjithçka bashkë. Si mund t’i ndalim? Futbolli luhet me kokë, me zemër si dhe trajneri që ka për detyrë të na përgatisë sa më mirë në aspektin tekniko-taktik.” Më tej, mesfushori kuqezi saktëson idenë e tij. Për të, Franca nuk ushqen frikë ndaj kuqezinjve, por vetëm respekt. “Fjala frikë nuk shkon, por ata kanë respekt ndaj nesh. Na kanë parë dhe na njohin. Ata e dinë se Shqipëria në Tiranë luan mirë e të vë në vështirësi. Ata e dinë fort mirë që vijnë këtu e kanë probleme, ashtu sikurse dhe ne e dimë se ata mund të vijnë këtu të na mundin ndoshta dhe 4-0 e asnjë nga ne s’ka çfarë të thotë. Ne mundohemi të jemi gati e të lëmë dhe ata të bëjnë punën e tyre. Pika e tyre e dobët? Një gjë është e sigurt që Shqipëria ka më shumë se Franca në këtë ndeshje është zemra. Duhen koordinuar koka e zemra bashkë, por për zemrën jam i sigurt. Pastaj ta shohim sa mund t’ia dalim,” përfundon Lorik Cana.